Gazsjellësi amerikan ende jashtë funksionit, pas sulmit kibernetik

10/05/2021 09:30

Qeveria amerikane lëshoi një masë ligjore të emergjencës pasi tubacioni më i madh i karburantit në SHBA u godit nga një sulm kibernetik që besohet se ishte kryer nga një bandë kriminale. Statusi i emergjencës mundëson transportimin e karburantit përmes transportit rrugor.

Sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo, tha se qeveria federale po punon ngushtë me kompaninë dhe me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë për t’u siguruar që tubacioni të kthehet në funksionimin normal.

Kompania Colonial Pipeline tha më 8 maj se ishte viktimë e një sulmi kibernetik dhe ka nxjerrë jashtë funksionit operacionet për të shmangur kërcënimin.

Gazsjellësi transporton rreth 45 përqind të furnizimeve të karburantit të Bregut Lindor të SHBA-së – duke përfshirë benzinë, naftë, karburant dhe vaj për ngrohje në shtëpi – nga rafineritë e Gjirit në Teksasit deri në Nju Jork.

Ekspertët thanë se mbyllja nuk ka gjasa të ketë një ndikim të madh në çmimet e karburantit nëse nuk do të zgjaste më shumë se një javë.

Ndërsa një hetim është ende në fazat e tij të hershme, agjencitë e lajmeve AP dhe Reuters cituan burime anonime pranë hetimit duke thënë se një bandë kriminale e njohur si DarkSide besohet të jetë prapa sulmit.

Institucionet dhe kompanitë amerikane kanë qenë disa herë në shënjestër të sulmeve kibernetike për të cilat janë fajësuar organizatat e lidhura me Rusinë.

Top Channel