Prej javësh, protestues palestinezë dhe forca të policisë izraelite po përplasen çdo ditë si brenda ashtu edhe rreth Qytetit të Vjetër të Jeruzalemit, atje ku ndodhen objektet kryesore fetare të hebrejve, të krishterëve e myslimanëve. Kjo zonë shihet po aq dhe si një epiqendër emocionale e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Jeruzalemi ka qenë skena e konfrontimeve të dhunshme mes hebrenjve dhe arabëve prej 100 vjetësh dhe mbetet një nga qytetet më të diskutuara në botë. Përplasjet e fundit filluan një muaj më parë, falë një lëvizjeje të izraelitëve për të bllokuar disa tubime të palestinezëve në fillim të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, një periudhë kur zakonisht ndjeshmëritë mbi çështje fetare rriten. Pas lehtësimit të kufizimeve, tensionet mbi një plan për të dëbuar me dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jeruzalemit lindor, vazhdojnë të nxisin përplasje.
Të hënën, mjete shpërthyese që shkaktojnë humbje të përkohshme dëgjimi, shpërthyen në kompleksin e shenjtë. Me qindra palestinezë u lënduan në përleshjet mes protestuesve që hidhnin gurë dhe policisë që qëllonte me gaz lotësjellës e plumba gome. Gjatë përplasjeve u plagosën edhe punonjës të policisë.
Arsyet se pse Jeruzalemi gjithmonë duket në avantazh dhe çfarë i nxiti incidentet e dhunshme?
Izraeli e sheh Jeruzalemin si kryeqytetin e tij “të unifikuar, e të përjetshëm”. Ai e ka aneksuar Jeruzalemin lindor, që përfshin Qytetin e Vjetër, gjatë luftës në Lindjen së Mesme në vitin 1967, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën. Palestinezët kërkojnë që ato territore të jenë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm, dhe Jeruzalemin lindor që do të shërbente si kryeqyteti i tyre. Por Izraeli ka aneksuar pjesën lindore të qytetit falë një akti i cili nuk është njohur ndërkombëtarisht.
Fati i Jeruzalemit lindor ka qenë një nga çështjet më të mprehta në procesin e paqes, i cili u ndal më shumë se një dekadë më parë.
Të hënën izraelitët do të shënonin Ditën e Jeruzalemit, një festë kombëtare që feston aneksimin. Gjatë viteve të kaluara, me mijëra izraelitë, kryesisht me bindje fetaro-nacionaliste kanë marshuar nëpër Qytetin e Vjetër, përfshirë lagjen myslimane me një popullatë të dendur, në një shfaqje që është konsideruar si provokuese nga shumë palestinezë. Në ditët e fundit, izraelitët e vijës së ashpër kanë organizuar aktivitete të tjera në Jeruzalemin lindor, duke çuar në perplasje të përhapura e të dhunshme me palestinezët.
Vendi i shenjtë
Përleshjet e së hënës u zhvilluan si brenda ashtu edhe rreth Xhamisë Al-Aksasë në Qytetin e Vjetër. Xhamia është vendi i tretë më i shenjtë për Islamin dhe ndodhet në një pllajë të shtrirë ku ngrihet gjithashtu e ashtuqujtuara Kubeja e famshme e Shkëmbit, në ngjyrë të artë. Myslimanët i referohen kompleksit si Shenjtërorja Fisnike.
Pllaja me mure është gjithashtu vendi më i shenjtë për hebrenjtë, të cilët i referohen si Mali i Tempullit, pasi ishte vendi i tempujve biblikë. Romakët e shkatërruan tempullin e dytë në vitet 70 pas Krishtit, duke lënë vetëm Murin Perëndimor. Xhamitë u ndërtuan shekuj më vonë.
Jordania fqinje shërben si kujdestare e kompleksit, që operohet nga një fondacion islamik i njohur si Vakëf. Vendi është i hapur për turistët në periudha të caktuara, por aty lejohen të luten vetëm myslimanët. Muri Perëndimor është vendi më i shenjtë ku hebrenjtë mund të luten.
Në vitet e fundit, grupe hebrenjsh fetaro-nacionalistë, shoqëruar nga policia kanë vizituar kompleksin në një numër të madh, duke mbajtur lutje në kundërshtim me rregullat e vendosura pas vitit 1967 nga Izraeli, Jordania dhe autoritetet fetare myslimane. Palestinezët i shohin vizitat e shpeshta dhe lutjet e bëra nga hebrenjtë si një provokim dhe kjo gjë shpesh ka nxitur përleshje apo dhunë serioze.
Disa izraelitë thonë se vendi i shenjtë duhet të jetë i hapur për të gjithë adhuruesit. Palestinezët refuzojnë nga frika se Izraeli mund ta marrë atë nën zotërim ose ta ndajë. Zyrtarët izraelitë thonë se nuk kanë ndërmend të ndryshojnë status quo-në.
Politikat diskriminuese
Hebrenjtë e lindur në Jeruzalemin lindor janë qytetarë izraelitë, ndërsa palestinezëve të Jeruzalemit lindor u jepet një leje qëndrimi e përhershëm e cila mund të revokohet nëse ata jetojnë jashtë qytetit për një periudhë të gjatë. Ata mund të aplikojnë për shtetësi, por ky është një proces i gjatë dhe i pasigurt dhe shumica zgjedhin të mos e bëjnë për shkak të mosnjohjes së kontrollit izraelit ndaj territoreve palestineze.
Izraeli ka ndërtuar vendbanime hebraike në Jeruzalemin lindor ku jetojnë rreth 220,000 vetë. Kjo ka kufizuar fort rritjen e lagjeve palestineze, duke çuar në mbipopullim dhe ndërtimin e paautorizuar të mijëra shtëpive që ndodhen në rrezik shkatërrimi.
Në raportet e tyre të fundit grupi izraelit i të drejtave B’Tselem dhe organizata Human Rights Watch me qendër në New York cituan politikat diskriminuese në Jeruzalemin lindor, duke argumentuar se Izraeli është fajtor për krime bazuar në diskriminim racor. Izraeli i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se banorët e Jeruzalemit trajtohen në mënyrë të barabartë.
Kërcënimet për dëbim
Përleshjet e fundit gjatë natës nisën në fillim të Ramazanit, kur policia izraelite vendosi pengesa jashtë Portës së Damaskut të Qytetit të Vjetër, një vend tubimi popullor pas lutjeve të mbrëmjes gjatë muajit të shenjtë, kur myslimanët agjërojnë nga agimi deri në muzg. Ata më vonë i hoqën pengesat, por protestat u përshkallëzuan më pas për shkak të kërcënimit për dëbim të dhjetëra familjeve palestineze nga lagja lindore e Jeruzalemit, Shejh Jarrah.
Familjet janë përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me hebrenj që kërkojnë të marrin prona në lagjet e mbushura me palestinezë që ndodhen jo shumë larg Qytetit të Vjetër. Izraeli e portretizon atë si një mosmarrëveshje private mbi pasuri të patundshme, por gjendja e vështirë e familjeve ka tërhequr vëmendjen globale.
Trazirat e gjera
Përplasjet në Jeruzalem dhe veçanërisht në Al-Aksa, shpesh jehojnë në të gjithë rajonin.
Grupi militant palestinez i Hamasit, i cili sundon mbi Gazën, ka bërë thirrje për një kryengritje të re, si ajo e shkaktuar nga vizita e një politikani izraelit në Al-Aksa në vitin 2000. Militantët e Gazës kanë qëlluar me raketa e mjete me pajisje ndezëse në mbështetje të protestuesve.
Protestat janë mbajtur në Bregun Perëndimor të okupuar dhe në komunitetet arabe brenda Izraelit. Një seri të shtënash javën e kaluar në Bregun Perëndimor ka rritur gjithashtu tensionet.
Jordania dhe vendet e tjera arabe që kanë lidhje miqësore me Izraelin kanë dënuar shtypjen e protestave, ndërsa Irani një vend armik i Izraelit ka inkurajuar sulmet palestineze. SHBA-ja dhe BE-ja kanë dënuar dhunën dhe kanë shprehur shqetësimin për dëbimet./Marrë nga VOA
Top Channel