Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, në Gjirin e Lalëzit ku tre anëtarë të familjes Haliti, nga Gjilani i Kosovës, kanë humbur jetën në mënyrë tragjike. Autoritetet shqiptare njoftuan se nëna, djali dhe nusja e shtëpisë humbën jetën pasi kishin konsumuar kërpudha të mbledhura në pyll.
Ndërkohë për këtë ngjarje të rëndë janë proceduar penalisht edhe dy mjekë të qendrës shëndetësore në Manzës, për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.
Mësohet se familjarët pasi kanë konsumuar kërpudhat dhe kanë shfaqur shenja helmimi, kanë shkuar në qendrën shëndetësore, ku u është bërë nga një serum dhe janë përcjellë për në banesë, ku më pas gjendja e tyre është rënduar deri në humbjen e jetës.
“Top Channel” ka mundur të sigurojë pamje nga banesa ku ata jetonin në Gjirin e Lalëzit, shtëpi që e kishin blerë prej 4 vitesh. Sikurse shihet edhe nga pamjet ata kishin blerë katin e parë të banesës dykatëshe në Lalëz, ndërsa makina e tyre qëndron e parkuar në hyrje të saj.
Sot anëtarët e familjes Haliti kanë hapur dyert e shtëpisë për të pranuar ngushëllime në shtëpinë e tyre në Gjilan.
Trupat e pajetë të çiftit Haliti dhe nënës së tyre kanë arritur në Gjilan mbrëmjen e së shtunës ndërsa varrimi i tyre do të bëhet në kohën e faljes së namazit të Ikindisë në 16 e 30. Çifti ka lënë jetimë mes dhimbjes së madhe katër fëmijë, një vajzë dhe tre djem.
Top Channel