Triumfojnë nacionalistët, Skocia drejt ndarjes nga Mbretëria e Bashkuar

09/05/2021 12:20

Nacionalistët e SNP të Nicola Sturgeon në Skoci shënuan fitoren e katërt elektorale radhazi, duke marrë 64 vota në parlament, vetëm një më pak nga sa nevojitej për shumicën absolute, dhe një më shumë sesa në zgjedhjet e 2016-tës. Separatistët synojnë tani t`i japin një tjetër shtysë të fortë kërkesës për referendumin e shkëputjes nga Mbretëria e Bashkuar, të refuzuar deri më tani nga qeveria e Boris Johnson.

Rezultati zgjedhor në Skoci paralajmëron një konfrontim të drejtpërdrejtë me Johnsonin rreth një referendum të dytë të pavarësisë. “ Tani “nuk ka më asnjë justifikim demokratik për këdo që përpiqet të bllokojë të drejtën e popullit Skocez të zgjedhe të ardhmen e tij”, deklaroi  Sturgeon. Një referendum i tillë qe mbajtur në Skoci në 2014: asokohe 55% e votuesve votuan për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Por ideja nuk u shua, dhe mori hov sërish pas fitores së kampit “Po” në referendumin e Brexitit 2016, kur 62% e  skocezëve votuan për qëndrimin në BE, edhe pse në fund iu desh të respektonin triumfin e fushatës për largim nga blloku europian. Johnson tha për Daily Telegraph se do të ishte papërgjegjshmëri të mbahej një referendum tani , kur duhet të shërojmë ekonominë tonë, siç u shpreh ai, e të bashkohemi me njëri-tjetrin.

Top Channel