“Forca jonë si demokraci konsiston tek kontributi i shoqërive pluraliste në kërkim të rrugës më të mirë për të ardhmen”, deklaroi presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier në kuadër të 9 majit, ditës së Europës që nis këtë radhë një vit plot forume e  diskutime qytetare për të ardhmen e BE-së. 21 krerë shtetesh të përzgjedhur nga vendet e BE-së u bëjnë thirrje evropianëve të shpalosin idetë e tyre në diskutime.

Sa më shumë njerëz të marrin pjesë në diskutimin e gjerë dhe të hapur, aq më mirë është për unionin tonë.

Rekomandimet e qytetareve dhe qytetarëve duhet t’i shërbejnë institucioneve evropiane si bazë për zhvillimin e mëtejshëm dhe orientimin e ardhshëm të Bashkimit Europian”, u shpreh Steinmeier.

Për dekada me radhë, Bashkimi Europian ka qenë një forcë e fuqishme shtytëse e paqes dhe prosperiteti në Europë, një mekanizëm mbikombëtar bashkëpunimi, me pak se një federatë politike por më i fuqishëm se një regjim internacional. Pas një gjysmë shekulli të shënjuar nga recesioni ekonomik e dy luftëra botërore, komuniteti ekonomik i krijuar në 1957-tën nga Traktati i Romës u shndërrua në arsyen përse kontinenti europian shijoi periudhën me të gjate të paqes e begatinë më të madhe që kishte parë ndonjëherë.

Por sot, është pllakosur nga kriza e sfida. Një situatë në fakt që duket se përsëritet që prej 2009-tës: në fillim ishte kriza e eurozonës, pastaj ajo e emigracionit, më tej lufta e Britanisë për shkëputje, sot pandemia i koronavirusit dhe nën sipërfaqe, sfida e fjetur por tejet shqetësuese ndaj vetë demokracisë që përbën thelbin e vlerave të përbashkëta të Unionit. Nuk kanë munguar nga ana tjetër as sfidat e jashtme si ngërçi në marrëdhëniet transatlantike, fuqizimi i Kinës, provokimet e Rusisë.

Pas reagimit të ngadaltë ndaj krizës së Covid 19, Brukseli po përpiqet të tregohet më aktiv, por këshilla që i japin analistët është të fokusohet tek ajo çfarë duan vërtet qytetaret e tij e të mos humbasë kohë me fjale, por të veprojë!

Top Channel