Dyshimet e para për vdekjen e tre anëtarëve të familjes kosovare Haliti në Lalëz, të Durrësit ishte konsumi i kërpudhave.
Por djali i tyre në një prononcim për mediat, ka theksuar se babai i tij i njihte mirë kërpudhat sepse kishte mbledhur edhe më parë. Po ashtu ai shtoi se edhe qeni që ishte me ta ka ngordhur, por atij nuk i jepnin asnjëherë ushqimin që hanin familjarët.
“Ne e kemi pasur edhe një qen atje edhe qeni ka ngordhur, ai nuk e konsumon asnjëherë ushqimin që ne e hamë. Kjo shkon përtej dyshimit, sepse qeni nuk konsumon kërpudha. Babi ka dalë shpesh për të na mbledhur kërpudha, nuk është se nuk i ka njohur kërpudhat”, u shpreh ai.
Djali i viktimës më tej akuzoi mjekët për neglizhencë të dhënies së shërbimit mjekësor.
“Neglizhenca e mos trajtimit të duhur në spitalin e Manzës, tre pacientë të shkojnë me të njëjtat simptoma e të kthehesh në shtëpi me hapa, nuk është normale, pa analiza, pa kurrfarë përkushtimi të lirosh pacientin në atë gjendje nuk është normale. Kanë marrë vetëm një infuzin dhe i kanë liruar në shtëpi, gjendjen e kanë pasur të rëndë”, tha djali i viktimës.
Top Channel