Merkel: SHBA të hapë tregun dhe të mundësojë eksportin e vaksinave

09/05/2021 03:13

Kancelarja gjermane, Angela Merkel përsëriti sot kundërshtimin e saj për një heqje të patentave mbi vaksinat antiCOVID-19 dhe i kërkoi SHBA-së të hapë tregun për të mundësuar eksportin e vaksinave dhe përbërësve të tyre.

“Uroj që, tashmë, që një pjesë e madhe e popullsisë amerikane të jetë vaksinuar, ne mund të kemi një shkëmbim falas të përbërësve dhe gjithashtu një hapje të tregut të vaksinave”, theksoi kancelarja gjermane në një konferencë shtypi. “Bashkimi Evropian gjithmonë ka eksportuar një pjesë të madhe të prodhimit të tij në botë dhe kështu që kjo duhet të bëhet rregull, e thënë kështu”, nënvizoi Merkel.

Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu i bëri thirrje Anglisë të ndalojë bllokimin e eksporteve të vaksinave. Ai nënvizoi se nga 110 milionë dozat e prodhuara në Evropë, BE kishte eksportuar 45 milionë dhe mbajtur 65 milionë. “Ne jemi më bujarët në botë sot në kampin e vendeve të zhvilluara”, nënvizoi ai.

Presidenti francez përsëriti se ishte i hapur për idenë e heqjes së pronës intelektuale mbi vaksinat antiCOVID-19, mbështetur nga presidenti amerikan, Joe Biden. Kancelarja gjermane përsëriti gjithashtu kundërshtimin e saj ndaj heqjes së patentave mbi vaksinat, propozuar nga administrata e Joe Biden.

“Unë kam sqaruar edhe një herë se nuk besoj se heqja e patentave është zgjidhja për t’i bërë vaksinat të disponueshme për më shumë njerëz”, theksoi Merkel. “Unë besoj se krijimtaria e biznesit dhe inovacioni janë të domosdoshme dhe për mua kjo përfshin patentat”, shtoi ajo.

Top Channel