Krerët shtetërorë në Kosovë, në Ditën e Evropës kanë bërë thirrje që qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë në 27 shtetet e bllokut dhe Kosova të lëvizë drejt integrimit evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova është një vend paqedashës dhe me orientim pro-evropian dhe ajo tha se po punohet drejt anëtarësimit në BE.

“Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën”, tha Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ajo shtoi se BE-ja duhet të mbajë fjalën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërkaq kjo e fundit, sipas presidentes Osmani, duhet “të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm”.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

Thirrje të njëjtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, kishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Sipas Konjufcës, Kosova ka orientim të “palëkundur” drejt familjes evropiane dhe ka kritikuar BE-në se është vonuar sa i përket integrimit evropian të Kosovës.

“Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë”, tha Konjufca.

Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian, në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate.

Kjo ditë, në vendet anëtare, shënohet duke vendosur flamurin e Evropës. Në Kosovë, Dita e Evropës është festë zyrtare./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA