Dhunuan në mes të fushës punonjësin e policisë, arrestohet Presidenti dhe Drejtori teknik i klubit të Kastriotit

09/05/2021 08:44

Alban Vogli, President i klubit të Kastriotit dhe Gazment Vogli, Drejtor Teknik i tij janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pas trazirave të ndodhura ditën e djeshme në “Selman Stërmasi”, në ndeshjen ndaj Tiranës.

Sipas Policisë gjatë zhvillimit të ndeshjes, këta të dy anë hyrë në fushën e lojës duke shkaktuar tension dhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta dhe më pas kanë goditur dy punonjës policie për të shmangur shoqërimin e tyre.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” të kryera në bashkëpunim, të shtetasve :

  • A. V., 34 vjeç, Presidenti i një ekipi futbolli ;
  • G. V., 32 vjeç, Drejtor Teknik i një ekipi futbolli.

Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë pasi ditën e djeshme në rrugën “Sulejman Delvina”, tek stadiumi “Selman Stërmasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Kastrioti, këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë hyrë në fushën e lojës duke shkaktuar tension dhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta dhe më pas kanë goditur dy punonjës policie për të shmangur shoqërimin e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Çfarë ndodhi dje?

Bardheblutë fituan 1-0 me golin e Hoxhallarit, por ky moment inatosi krutanët të cilët hynë edhe në fushën e gjelbër.  Dy policë u goditën, njeri prej të cilëve ka pësuar dëmtim në hundë, tjetri dhëmbët, në momentet e ndalimit. Për këtë incident 6 persona u shoqëruan në polici, por sot autoritetet njoftuan arrestimin e Alban Voglit dhe Gazment Voglit.

Humbja ndaj bardhebluve mund t’i kushtojë shumë Kastriotit që tani rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.

LEXO EDHE:

Fitore mes sherrit, 6 të shoqëruar. Tirana mund Kastriotin në Selman Stërmasi!

Top Channel