Përpjekjet e Presidentit Biden për ripërtëritjen ekonomike morën një goditje të premten kur dolën shifrat e vendeve të reja të punës të hapur gjatë muajit prill. Raporti tregonte një rritje modeste me rreth 266 mijë vende të reja pune, gjë që mund të ndërlikojë edhe më tej synimet e presidentit për të miratuar paketën prej 4 trilionë dollarësh investime në infrastrukturë, arsim dhe për fëmijët.
Përmes një reagimi të shpejtë, administrata e Presidentit Biden u përpoq të qetësojë shqetësimet lidhur me shifrat e dobëta që tregonte raporti për vendet e reja të punës. Raporti i përpiluar nga Departamenti i Punës çon në përfundimin se Plani Amerikan i Shpërtimit, një paketë stimuluese prej 1.9 trilionë dollarë që u miruatua në muajin mars, nuk po arrin të përmbushë premtimin për ringjallërim të shpejtë të ekonomisë.
Duke folur për gazetarët, Presidenti Biden u përpoq të zbuste shqetësimet në lidhje me raportin.
“Ne e dinim që kjo përpjekje nuk do të ishte sprint por maratonë. Faktikisht, po ecim më shpejt se kisha menduar. Kur dëgjon komentatorët, ju mund të mendoni se duhet të zhgënjehemi. Dua t’ju kujtoj se Plani Amerikan i Shpëtimit u miratua me qëllimin për të patur efekt gjatë një viti dhe jo për 50 ose 60 ditë. Çdo gjë do të shkojë mirë. Sot, ka më shumë prova që ekonomia jonë po ecën në drejtimin e duhur, por është e qartë se ende kemi shumë punë për të bërë”, tha Presidenti Biden.
Raporti i punësimit nuk arriti të tregonte se ekonomia amerikane po rimëkëmbej me shpejtësi, ndërsa shkalla e papunësisë arriti në 6.1%. Shumë ekspertë kishin parashikuar një rritje të konsiderueshme të vendeve të punës. Ritmet më të ulët të krijimit të vendeve të punës nga shkurti dhe marsi, krijuan shqetësim se rimëkëmbja ekonomike mund të ngadalësohej.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, tha se pavarësisht shifrave të ulta të raportit për vendet e punës, vendi është në rrugën e duhur të rimëkëmbjes nga dëmi financiar i shkaktuar nga pandemia. Ajo tha se qëllimi i paketës së ndihmës kishte qënë që të “siguronte lehtësim të mjaftueshëm për amerikanët për të kapëcyer situatën e krijuar nga pandemia”.
“Ne e dinim se kjo nuk ishte një betejë 100 ditore. Raporti i vendeve të punës tregon rrugën e gjatë të rimëkëmbjes. Që të jem e qartë, shifrat për muajin prill tregojnë përparimin e vazhdueshëm”, tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen. Ekpsertë të ekonomisë thonë se pavarësisht situatës aktuale, ekonomia amerikane është në një pozitë më të mirë se shumica e vendeve të zhvilluara.
Top Channel