‘Makineri vrasëse’/ Vendi ku iriqët bukuroshë po kthehen në ‘pushtues shkatërrimtarë’

08/05/2021 21:50

Nga të gjitha kafshët nokturne (me shumicën e aktivitetit në errësirë) iriqët janë nga më të dashurat për publikun e zakonshëm. Por në Zelandën e Re, gjëmbaçët e vegjël e të ngadaltë janë kthyer në ato që quhen tashmë “makineri vrasëse”.

Zelanda kishte qenë parasja e pazbuluar e iriqëve që kur ato u sollën aty nga kolonizatorët britanikë. Në Evropë iriqët janë gjahu i shumë kafshëve si dhelprat e nuselalet, ndersa në Zelandën e Re ata nuk kanë gjetur asnjë predator por vetëm pyje të bollshme, kopshte dhe një numër të pamasë krijesash vendase me të cilat të ushqehen.

Ashtu si disa specie të tjera të ardhura në Zelandën e Re, dhe iriqët po shfarosin insektet e rralla të vendit, vrasin të vegjëlit e zogjve apo thyejnë vezët e tyre për t’u ushqyer, dhe autoritetet kanë vendosur të zhdukin popullatën e tyre me të gjitha mënyrat.

“Gjithnjë e më shumë po kuptohet se çfarë dëmi kolosal mund të shkaktojnë ata,” thotë Nick Foster, i Universitetit të Otago i cili po studion iriqët. Një iriq i vetëm mund të konsumojë dhjetra hardhuca karakteristike vendase, vezë zogjsh dhe insektin e madh jo-fluturues wētā, që jeton vetëm në Zelandën e re.

Në një studim u zbulua se në stomakun e një iriqi kishte pasur 283 këmbë wētā. “Kjo do të thotë se në 24-orë ky iriq ka kullufitur rreth 60 kafshë të tilla, një banket i vërtetë,” thotë Foster.

Për të kuptuar lëvizjet e iriqëve, Foster ka vendosur gjurmues GPS dhe i ndjek ata gjatë natës i pajisur me kamera termale.

“Jam duke ndjekur këto kafshë 600-gramëshe,” thotë ai, duke shtuar se gjurmuesit tregojnë se iriqët kërkojnë ushqimin e tyre duke ecur rreth 2,000 metra në 24 ore në zonat malore.

Misioni i tij është të largojë iriqët nga habitatet që konsiderohen kritike në Zelandën e Re. Prandaj vendi ka nisur fushatën ambicioze për zhdukjen e iriqëve predatorë deri në vitin 2050, me anë të teknikave të çarqeve, gjuetisë dhe helmimit.

Foster punon për projektin e konservimit ‘Te Manahuna Aoraki’, që kërkon të krijojë një zonë prej 310,000 hektarësh pa predatorë. Zelanda e Re e ka bërë këtë në ishujt e saj por është shumë më e vështirë në tokën kryesore.

Foster thotë se në misionin e tij ndikon dhe dashuria e vendasve për iriqët e lezetshëm, të cilët kolonizatoët e hershëm i sollën nga Britania për ta bërë vendin më të ngjashëm me ‘dikur shtëpinë e tyre’.

“Disa propozojnë t’i kthejmë ata përsëri në Britani. Iriqët evropianë janë reduktuar në numër,” shton Foster, por menjëherë ndryshon linjën e bisedës duke thënë se nuk do të ishte e mundur prej sigurisë biologjike, kostove dhe studimeve që nevojiten.

“Unë nuk i urrej iriqët. Ata janë interesantë, inteligjentë dhe krijesa karizmatike. Ne nuk po përpiqemi t’i vrasim ata, por të përmirësojmë ambjentin për speciet e tjera rreth nesh. Kemi për detyrë të kujdesemi për gjërat që duhet të jenë në vendin e tyre”, shton Foster.

FOTO GALERI
1/5
Në Zelandën e Re iriqet nuk kanë gjetur asnjë predator por vetëm pyje të bollshme, kopshte dhe një numër të pamasë krijesash vendase me të cilat të ushqehen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA