Kina pranon se mbeturinat e raketës Long March “do të bien në Tokë”

08/05/2021 01:57

Kina ka pranuar se mbeturinat e raketës së saj të ndërtuar në mënyrë autoktone që bartën në orbitë modulin kryesor të stacionit të saj hapësinor do të “bien në Tokë”.

Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës tha se mbeturinat e raketës Long March-5B Y2 “mund të hyjnë përsëri në atmosferën e Tokës diku gjatë kësaj fundjave”, njoftoi transmetuesi publik CGTN. Transmetuesi shtoi se raketa duhej të digjej gjatë ri-hyrjes, kurse disa ekspertë kinezë paralajmëruan se “pjesët mund të bien në Paqësor”.

Raketa u lançua më 29 prill në hapësirën duke mbajtur modulin kryesor, Tianhe, të stacionit hapësinor të ardhshëm të Kinës në formë të shkronjës T. “Një vëzhgim i mundshëm amator në tokë i bërthamës së raketës që jep sinjal të rregullt sugjeron se ajo po bie dhe kështu nuk është nën kontroll”, thuhet në faqen e internetit të Space News më 30 prill, duke shtuar se “ngadalë dhe në mënyrë të paparashikueshme” po bie përsëri në Tokë.

Tianhe ishte ndarë nga faza kryesore e lançuesit pas 492 sekondave të fluturimit, duke hyrë direkt në orbitën e saj të planifikuar fillestare. Ndërkohë, Kina të premten lançoi me sukses në orbitë një grup tjetër satelitësh. Satelitët u lançuan nga Qendra e Laçimit Satelitor Xichang në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore.

Satelitët që i përkasin familjes Yaogan-30, u lançuan me raketën transportuese Long March-2C. Sapo satelitët të përshtaten në orbitë, ato do të përdoren për matjen në distancë, e cila përfshin zbulimin mjedisor elektromagnetik dhe testimin teknologjik që lidhet me të. Tianqi-12, një nga satelitët, do të përdoret për mbledhjen dhe transmetimin e të dhënave. Ky ishte misioni i 369-të i serive të raketave Long March.

Top Channel