SHBA, arrestohet nxënësja e klasës së 6-të për të shtënat në shkollë

07/05/2021 13:05

Një vajzë e klasës së gjashtë që solli një armë në shkollë në shtetin Idaho të SHBA-së dhe qëlloi 3 persona të enjten u arrestua.

Vajza nxori pistoletën nga çanta, hapi zjarr dhe plagosi dy nxënës dhe një anëtar të stafit në shkollën e mesme Rigby, njoftoi Sherifi i Qarkut Jefferson Steve Anderson në një konferencë për media.

Vajza u çarmatos nga një mësuese dhe ajo u mbajt derisa oficerët e zbatimit të ligjit arritën në vendin e ngjarjes dhe e morën atë në paraburgim.

Të tre viktimat u qëlluan në gjymtyrët e tyre dhe ata pritet të mbijetojnë, tha Anderson, duke shtuar se “Ne nuk kemi shumë detaje pasi që rasti është në hetim e sipër”.

Emri dhe mosha e vajzës nuk u bë i ditur. Vajza mund të akuzohet me tre akuza për vrasje në tentativë, thanë zyrtarët.

Shefi i rrethit shkollor Jefferson Chad Martin tha se nxënësit u dërguan në shtëpi pas incidentit dhe orët e mësimit u anuluan për të premten në Shkollën e Mesme Rigby që ka rreth 1.500 nxënës nga klasa e gjashtë deri në të tetën.

“Unë jam duke u lutur për jetën dhe sigurinë e atyre që janë përfshirë në ngjarjet tragjike”, shkroi guvernatori i Idaho-s, Brad Little në Twitter.

“Faleminderit agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe drejtuesve të shkollës për përpjekjet e tyre në përgjigjen ndaj incidentit. Jam duke ndjekur situatën”, shtoi Little./AA/

Top Channel