Zona muzeale e qytetit të Gjirokastrës mund të akomodojë me vështirësi në kushtet aktuale rreth 100 mjete.
Bizneset e turizmit këtu bëjnë thirrje që të vendosen prioritete sidomos për ata që akomodojnë vizitorë të huaj që vijnë me bagazhe. Një tjetër problem mbetet hyrja për në qytetin e Gjirokastrës. E pajisur me sinjalistikë ajo po kthehet në një çështje konfuzioni për vizitorët.
Hysen Kodra: Të gjithë klientët kanë pasur problem parkimin dhe rrugën për të ardhur në zonën muzeale. Detyrohemi ti ndihmojmë vetë sepse nëpërmjet Google nuk vijnë dot. Dalim i presim poshtë tek ura e lumit dhe i tregojmë rrugën nga të vijnë në hotel.
Vasil Garo: Shpesh herë na qëllon që ne ti marrim klientët nga vende nga më të çuditshmet, thjesht sepse Maps po i nxjerr aty shumë larg nga destinacioni ku ata duan të shkojnë
Qazim Tuqi: Ishte një fluks shumë i madh i turistësh që erdhi në qytetin tonë. Shumë mirë për ne bizneset. Ishte një fluks i menjëhershëm dhe të gjithë ishin me makinat e tyre. Është një problem që po rregullohet parkimi tek sheshi i Çerçizit dhe ajo ka sjellë disi kaos të themi se të gjithë se të gjitha rrugët vijnë në zonën muzeale pa ndaluar në një parking më parë.”
Sheshi “Çerçiz Topulli”, sheshi kryesor në Gjirokastër është në rikonstruksion të plotë. Ai do të akomodojë 300 deri në 400 mjete pasi të përfundojë.
Gjirokastra edhe këtë fundjavë është plotësisht e prenotuar megjithatë çështja e parkimeve duket se do të jetë një nga problemet kryesore të këtij sezoni.
Top Channel