Gruaja britanike humbet £113 000 nga mashtrimi në rrjetin e njohjeve të reja (fotot)

07/05/2021 21:41

Një grua britanike thotë se përballet me falimentim pasi i janë marrë me anë të mashtrimit 113,000 paundë, nga një manipulues me të cilin bnesonte se do të niste një romancë dashurie.

Rachel Elwell, nga Anglia qendrore tha se burri pretendonte se jetonte pranë saj, e se kishte shkuar në Ukrainë me një kontratë pune.

Me anë të dokumenteve e fotove të rreme ai e kishte bindur gruan se i kishin dalë çështje të papritura parash, dhe me pas se ishte marrë peng nga gangsterë huadhënës në vendin ku qëndronte.

50 vjeçarja Elwell, thotë se ajo nuk kishte garanci për rikthimin e parave të saj.

Kur u pyet se përse i kishte dhënë paratë një burri që nuk kishte takuar kurrë ekonomistja nga qyteza e Brownhills, tha: “Kur ai më tha se kishte jetën në rrezik dhe më pas nuk dëgjoja më prej tij, mendova se e kishin vrarë. A mund ta mendoni dikë kur ndjehet përgjegjës për jetën ose vdekjen e dikujt?”

Zonja Elwell thotë se ishte kontaktuar fillimisht më 1 janar nga burri që pretendonte se jetonte në Cannock, duke shtuar se nga fotot e tij “dukej i lezetshëm”, dhe “pëlqente të njëjtat gjëra si unë”. “Dukej njeri i hapur dhe i vërtetë”, shton ajo.

Burri i kishte thënë se duhet të priste dy javë para se të takoheshin pasi duhet të qëndronte në Ukrainë, por në një telefonatë të mëpasshme ai pretendonte se ligjet e vendit kishin ndryshuar prej situatës së Covid-19 dhe tani duhet të paguante taksa para se të niste puna e tij inxhinierike, shpjegon Elwell.

Duke treguar historinë e saj për BBC Radio WM, zonja Elwell tregonte për manipuluesin i cili e kishte bindur t’i dërgonte “me hezitim” paratë.

“Më erdhi një letër nga njëfarë ‘zyrë taksash’, e kam akoma kopjen e saj. Ata më thanë se duhet të paguaj 160 mijë. Ai kishte marrë paradhënie nga pensioni, kishte shitur makinën dhe unë e ndihmova”.

“Në këtë pikë besoj se i kisha dërguar rreth 45 000 paundë për ta ndihmuar me faturën e taksave”, thotë ajo.

Në disa direktiva nga grupi britanik i mbikqyrjes Action Fraud, thuhet se mashtrimi me anë të romancës dhe njohjeve të reja ndodh kur kriminelët manipulojnë njerëzit duke fituar besimin e tyre për t’i dërguar para ose për të bërë të besojnë se janë në një marrëdhënie të vërtetë romatike.

Prandaj për të qenë të sigurtë nga mashtrime të tilla, njerëzit këshillohen që:

  • Të dyshojnë për çdo kërkesë parash nga njerëz që nuk i kanë njohur kurrë personalisht, veçanërisht kur kanë komunikuar vetëm online
  • Ata duhet të flasin me shokët e familjarët për të marrë këshillat e duhura
  • Të bëjnë kërkim në internet me foton e profilit të njerëzve, për të parë nëse është marrë nga dikush tjetër

Në rastin konkret Elwell tha se buri i tregonte se dy gangsterë e kishin kapur dhe e kishin mbyllur në një qilar, madje i dërgonte foto që dokumentonin qëndrimin e tij aty.

Më pas burri i kishte thënë Elwell se do të kthehej në aeroportin e Heathrow në Londër, por gruaja merr një email që supozohet se ishte nga zyrtarë të aeroportit që i thonin se “miku” i saj ishte arrestuar.

Kur gruaja shkoi të kontaktonte policinë kufitare britanike, një zyrtar i tha “ky është një mashtrim, zonjë”.

Gruaja kishte shkuar dhe në shtëpinë e supozuar të burrit në Coventry ku ai pretendonte se kishte një vajzë dhe pastruesen, por aty nuk jetonte askush.

Zonja Elwell tha: “Në atë moment e kuptova se gjithçka ishte një gënjeshtër.”

Një zëdhënës i policisë tha mbi çështjen: “Rasti i Rachel është nga më të përdorurit e mashtrimit të romancës, duke evidentuar sesi këta mashtrues dëmtojnë jetët e njerëzve”.

FOTO GALERI
2/7
Rachel Elwell, nga Anglia qendrore tha se i janë marrë me anë të mashtrimit 113,000 paundë

Top Channel