Kryeministri Italian Mario Draghi njoftoi pas takimit të ministrave të turizmit të G20-tës në Romë se Italia do të nxjerrë në fund të majit dokumentin e saj të gjelbërt të udhëtimit.
Duke paraprirë pasaportën jeshile europiane e cila duhet të dalë nga mesi i qershorit, fqinji ynë përtej Adriatikut vendosi të nxjerrë certifikatën e vet, e cila do të lejojë sipas kreut të ekzekutivit që sektori Italian i turizmit të bëhet edhe më i fortë se më parë.
“Teksa përgatitemi për pasaportën europiane, qeveria jonë do të lëshojë një lejekalimi të gjelbërt e cila i lejon njerëzit të lëvizn lirisht në të gjitha rajonet e vendit duke nisur nga java e dytë e majit. Malet tona, plazhet tona do të hapen; qytetet e fshatrat po ashtu. Nuk kam asnjë dyshim se turizmi ynë do ta marrë veten, e do të forcohet madje edhe më shumë se më parë. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje ekonomike thelbësore për këtë sektor dhe në përgjithësi, në përpjekjet për rimëkëmbjen e vendit”- tha Mario Draghi.
Pandemia na detyroi të mbyllnin dyert, tha Draghi, por Italia është gati ta mirëpresë botën sërish. Kryeministri shtoi se do të ketë për çdo rast disa rregullave të thjeshta që duhen ndjekur nga turistët për të garantuar sigurinë e të gjithëve.
Certifikata e gjelbërt italiane do të mund të përdoret nga 16 maji e do të tregojë që mbajtësi i saj është vaksinuar, ka antitrupa ndaj Covid-19 ose ka kryer një test të koronavirusit 48 orë përpara udhëtimit.
Top Channel