Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi planet për të vaksinuar kundër koronavirusit 70 për qind të të rriturve amerikanë deri në 4 korrik, e në axhendën, përfshihet dhe imunizimi i të rinjve të moshave 12-15 vjeç.
Qëllimi i tij tani është vaksinimi i plotë i 160 milionë amerikanëve deri në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Plani u bë publik në një kohë kur kërkesa për vaksina ka rënë dukshëm në të gjithë vendin, madje disa shtete nuk kanë bërë porosi për më shumë se gjysmën e dozave që duhet të merrnin.
Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden bëri thirrje që shtetet t’i bëjnë vaksinat të disponueshme për njerëzit, që ata t’i marrin sipas dëshirës, pa lënë takim. Ai do të nxjerrë udhëzime që shumë farmaci të bëjnë të njëjtën gjë, ndërkohë që administrata e tij po merr masa për herë të parë për të dërguar vaksina nga shtetet me kërkesë më të pakët tek ato më të interesuara.
Autoritetet amerikane janë duke vaksinuar aktualisht rreth 1 milion të rritur në ditë. “Në dy muaj, le ta festojmë pavarësinë e kombit dhe pavarësinë nga virusi. Ne mund ta bëjmë këtë. Ne do t`ia dalim”, deklaroi Biden nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti demokrat ka prezantuar edhe një faqe të re online, vaccines.gov, të cilën mund ta shfrytëzojnë amerikanët për të gjetur më lehtë qendrat e vaksinimit, pas ankesave se procesi i regjistrimit ka qenë shumë i vështirë për disa persona.
Top Channel