Në përvjetorin e 200-të të vdekjes, Franca ende e përçarë për Napoleonin (fotot)

05/05/2021 18:46
Pikture e vitit 1843 nga artisti francez Jean-Baptiste Mauzaisse e Napoleon Bonaparte ne shtratin e vdekjes.

Presidenti Macron duhet të jetë i kujdesshëm në vendosjen e kurorës për të “kujtuar dhe jo celebruar” përvjetorin, shkruan në një analizë e përditshmja britanike “The Guardian”.

Më 5 Maj 1821, Napoleon Bonaparte vdiq në ekzil, në një krevat të vogël mes një rrethi të ngushtë asistentësh, në një shtëpi me lagështi të kontaminuar nga minjtë, në ishullin britanik të Atlantikut, Saint Helena.

Fjalet e tij të fundit raportohet se ishin: “La France, l’armée, tête d’armée, Joséphine …” (Franca, ushtria, kreu i ushtrisë, Joséphine). Ai ishte 51 vjeç.

Dyqind vjet më pas shkaku i vdekjes së tij mbetet i pazgjidhur, ndërsa jeta dhe karriera e tij vazhdojnë të përçajnë opinionet.

Për disa, perandori nga Korsika ishte një lider i shkëlqyeshëm ushtarak dhe strateg politik, ndërsa për të tjerë ishte një despot që adhuronte luftën. Për të djathtët ai është një hero kombëtar që me udhëheqjen e tij e ktheu Francën në një fuqi botërore, ndërsa për të majtën ishte një autokrat që mbështeste rikthimin e skllavërisë.

Ministrja franceze e barazisë Élisabeth Moreno, pranon se Napoleoni ishte një figurë e madhe e historisë së Francës, por shton se ishte gjithashtu “misogjinist i madh”.

Sot presidenti Emmanuel Macron, do të duhet të ecë në një fije delikate politike teksa shënon 200-vjetorin e vdekjes së Napoleonit në Institutin e Francës, bashkë me një grup akademikësh dhe studentë universiteti.

Fjala e tij do të vijë pas asaj të historianit Jean Tulard, eksperti kryesor i Bonaparte, të cilët do të vendosin kurorën në tumën e perandorit Les Invalides në Paris në atë që pallati presidencial Élysée insiston se është një “përkujtim dhe jo celebrim”.

Élysée ka thënë se Macron nuk do të ndjekë qasjen e kujdesshme të pararendësve të tij në lidhje me Napoleonin, i cili sundoi nga viti 1799 deri në 1815, me një fjalim që sipas tyre nuk do të jetë as mohim as pendim, por vetëm një “gjykim retrospektiv pas 10 gjeneratash”.

“Nuk është çështja nëse ai ishte një gjeni apo një monstër, por kujtimi i asaj që ka bërë, që udhëhoqi Francën në dominimin e Evropës, në një moment”, thotë historiani Tulard.

Pas disfatës në betejën e Waterloo, Napoleoni kishte shpresuar të dërgohej në Amerikë por pas 10 javë udhëtimi me anijen britanike HMS Northumberland, e gjeti veten në shkëmbin 10 milje të gjatë, në jug të oqeanit Atlantik.

Sapo pa nga deti ishullin e Saint Helena kur arriti në 1815, komenti i tij i parë besohet se ishte: “Nuk do të jetë një qëndrim i këndshëm.”

Guvernatori i Saint Helena, Sir Hudson Lowe, nuk u impresionia nga i ftuari tij. Detyra e tij ishte vetëm të mos e linte të arratisej e t’i jepte për të ngrënë. Për Napoleonin, Lowe ishte një gardian burgu. Ndërsa për Lowe, Napoleoni ishte një individ tekanjoz që nuk pranonte të njihte situatën e tij aktuale.

Në testamentin e tij Napoleon kërkonte të varrosej në brigjet e lumit Seine në Paris, por Lowe insistonte që ai të varrosej në Saint Helena, e njohur më vonë si Lugina e Tumave.

Në tetor 1840 trupi i tij u zhvarros, u riatdhesua në Francë dhe u rivarros në Les Invalides në Paris. Në 1854 qeveria franceze bleu Luginën e Tumave dhe shtëpinë ku Napoleoni jetoi në ekzil.

Historiani britanik Andrew Roberts, autor i një biografie të vitit 2014 të “Napoleonit të Madh” përmend ngjashmëri mes tij dhe presidentit aktual Macron: të dy të rinj, të lexuar e inteligjentë, që erdhën në pushtet duke mundur kundërshtarët e djathtë, të dy me njërin sy nga Britania, me kërkesat e saj të vazhdueshme për tregti të lirë me kontinentin.

Historiani francez Tulard është më i butë me britanikët: “Londra e dënoi Napoleonin me ekzil në Saint Helena, por kjo nuk ishte më e keqja që mund të bënin. Në të tjera rrethana ai do të ishte vrarë me pushkatim.” / TheGuardian/ Pergatiti: Andi Lamko

FOTO GALERI
1/3
Varri i perandorit ne Les Invalides në Paris

Top Channel