
Ikja nga kjo botë e një artisti me përmasat e Guljelm Radosë ka shkaktuar trishtim jo vetëm tek njerëzit që punuan dhe jetuan me të, por edhe tek ne si publik që e shijuam artin e tij.
Aktori i kinemasë dhe teatrit humbi jetën në moshën 75 vjeçare, nga Covid-19.
Petrit Malaj: Tre herë në javë vinte në Akademinë e Arteve, me çfarë do të thoni ju, me një biçikletë. Modest dhe i madh njëkohësisht. Nuk e ndau edhe pjesën pedagogjike. Studentët kërkonin të zhvillonin leksione më të, pasi vinte nga pluhuri i skenës së filmit e teatrit. Nuk e harroj atë buzëqeshjen në mëngjes, na ngacmonte të gjithëve, por edhe ne na pëlqente energjia dhe shpotitë e tij. Nuk e donte politikën, por nuk ankohej pafund. Me pak fjalë apo gjeste shprehte shumë mendime. Të gjithë sot në fakultet e nisëm ditën me lot. Unë kam luajtur tre filma me të. Radoja ishte një artist që vërtetë e donte punën dhe kinemanë.
Guljelm Radoja lindi në 23 qershor të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, filloi punë si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëlit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej, do të vazhdonte një sërë rolesh të tjera si ai i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Top Channel