“Grushti i shtetit” në Francë/ Tensionohet situata, Marine Le Pen mbështet ushtarakët

05/05/2021 15:01

Letra e hapur dërguar kohët e fundit presidenti francez Emmanuel Macron, që mban firmat e mbi 50 gjeneralëve në pension dhe më shumë se 24 mijë pjesëtarëve actual të personelit të forcave të armatosura, bëri që të jepet alarmi nga frika e një grushti të mundshëm shteti.

Firmëtarët kryesorë, të drejtuar nga gjeneralët Antoine Martinez dhe Christian Piquemal, thonë se vendi është në prag kolapsi për shkak të emigracionit, krimit dhe islamizmit. Ata janë të zemëruar me atë që e quajnë “kulturë e fshirjes” dhe çdo përpjekje intelektuale për të kritikuar të shkuarën kolonialiste të vendit.

Gjeneralët paralajmërojnë se nëse situata përkeqësohet, ushtarët e tyre besnikë që janë në shërbim aktiv, mund të ndërhyjnë për të marrë kontrollin. Thirrjen e gjeneralëve e ka mbështetur edhe liderja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen. Frikën e shtoi dhe më shumë një sondazh I realizuar nga Harris Interactive, I cili dilte në përfundimin se 58% e të anketuarve ishin dakord me atë çfarë deklarohej në letër.

Po sipas sondazhit, 49% besojnë se do të ishte e drejtë që ushtria të ndërhynte për të ruajtur rendin në rrethana të caktuara “edhe nëse qeveria nuk e kërkonte një gjë të tillë”.

Duket sikur ekstremi i djathtë në Francë është më I fortë se më parë, thotë the Guardian. Disa zëra, sipas prestigjozes britanike, shkojnë deri aty sa të pohojnë se ka shanse që në presidencialet e 2022-shit, Le Pen të fitojë me një shumicë të ngushtë votash. Në fakt duket se zhurma politike e nxitur nga letra publike, e cila u botua në përvjetorin e gjashtëdhjetë të përpjekjes për grusht shteti të vitit 1961 kundër Charles De Gaulle-t, po hedh bazat për zgjedhje problematike presidenciale vitin e ardhshëm.

Top Channel