“Do ta paguajnë shtrenjtë”, Hamasi kërcënon me sulme Izraelin

05/05/2021 16:26

Krahu i armatosur i grupit palestinez Hamas paralajmëroi Izraelin për sulme si shpagim ndaj situatës së fundit të krijuar me palestinezët në Jeruzalemin e pushtuar Lindor.

“Brigadat Izz ad-Din al-Qassam nuk do të qëndrojnë duarkryq përballë mësymjes në lagjen Sheikh Jarrah” thuhet në deklaratën me shkrim të kreut të këtyre brigadave, Mohammed Deif, i shpallur në kërkim prej një kohe shumë të gjatë nga shteti hebre.”Ata do të paguajnë një çmim shumë të rëndë,” shtoi ai.

Në fillim të javës, 10 palestinezë u plagosën pas përleshjeve me policët izraelite në Jeruzalemin Lindor gjatë një demonstrate solidariteti me banorët e Sheikh Jarrah, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze. Më herët këtë vit, Gjykata Qendrore e Izraelit në Jeruzalemin Lindor miratoi një vendim për të dëbuar shtatë familje palestineze nga shtëpitë e tyre në favor të kolonëve izraelitë.

Që nga viti 1956, gjithsej 37 familje palestineze kanë jetuar në 27 banesa të lagjes së kthyer së fundi në skenë përplasjesh. Kolonët hebrenj janë përpjekur gjatë gjithë kohës t`i dëbojnë ata në një ligji të miratuar nga parlamenti izraelit në 1970. Me mijëra palestinezë u detyruan në 1948-tën të braktisnin fshatrat e qytetet ku jetonin e të shpërnguleshin në vende fqinjë si Jordania, Libani e Siria. Dëbimeve të asaj kohe, ata I referohen si “Nakba” që në arabisht do të thotë “katastrofë”.

Top Channel