Derek Chauvin u shpall fajtor për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd, por avokati i ish oficerit të policisë së Mineapolisit, kërkoi një gjyq të ri me pretendimin se gjykata abuzoi me informacionet e saj në disa pika dhe se vendimi për shpalljen fajtor duhet të hiqet për shkak të sjelljes së papërshtatshme të jurisë.
Provat në gjyq treguan se Chauvin mbajti gjurin në qafën e Floydit për 9 minuta e gjysmë ndërsa afrikano-amerikani po thoshte se nuk mund të merrte frymë dhe më vonë nuk po lëvizte. Avokati i mbrojtjes Eric Nelson përmendi shumë arsye në kërkesën e tij për një gjykim të ri.
Ai tha se gjyqtari Peter Cahill abuzoi me informacionet e gjykatës dhe shkeli të drejtën e oficerit Chauvin për proces të rregullt dhe një gjykim të drejtë kur ai mohoi kërkesën e Nelson për të zhvendosur gjyqin në një qark tjetër për shkak të publicitetit paraprak. Ai gjithashtu tha se gjykatësi Cahill abuzoi kur ai mohoi një kërkesë të mëparshme për një gjykim të ri për shkak të publicitetit gjatë procedurave, që avokati Nelson tha se kërcënonte drejtësinë e gjyqit.
Kërkesa për tërheqje të një vendimi nënkupton ngritje të dyshimeve për vlefshmërinë e tij. Dokumenti nuk përmendte raportet e fundit se një nga anëtarët e jurisë mori pjesë në një marshim të 28 gushtit në Uashington, për të nderuar ikonën e të drejtave civile, Martin Luther King Jr.
Top Channel