SHBA “hap dyert”, Biden rrit kuotën e pranimit të emigrantëve

04/05/2021 12:23

Presidenti amerikan Joe Biden rriti zyrtarisht kuotën e pranimit të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara në 62.500 për këtë vit, duke cituar “një situatë të paparashikuar dhe urgjente të refugjatëve në botë”.

Vendimi i tij erdhi pas përballjes me kritika të shumta për vonesa në zëvendësimin e kuotës tejet të vogël të pranimit të refugjatëve, të paraqitur nga paraardhësi i Bidenit, Donald Trump. Përmes një deklarate, Biden ka thënë se veprimet e tij “zhdukin shifrën historikisht të ulët prej 15.000 refugjatësh, të vendosur nga administrata e kaluar.

Biden: Është e rëndësishme të ndërmarrim këtë veprim sot për të hequr çdo dyshim në mendjet e refugjatëve në të gjithë botën që kanë vuajtur kaq shumë dhe që mezi presin të fillojnë jetën e tyre të re. Kufiri i vendosur nga Trumpi “nuk pasqyroi vlerat e Amerikës si një komb që mirëpret dhe mbështet refugjatët.

Shifrat e reja të pranimit “dërgojnë mesazh të rëndësishëm se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë strehë e sigurt për disa prej njerëzve më të pambrojtur në botë”, shtoi Biden. Por presidenti amerikan e pranoi se SHBA-ja nuk do të mund të pranojë 62.500 refugjatë deri në fund të vitit fiskal, që përfundon në fund të muajit shtator, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe kufizimeve tjera.

Në kuotën e re përfshihen 4,000 refugjatë nga Europa dhe Azia Qendrore, 22,000 nga Afrika, 6,000 nga Azia Lindore, 5,000 nga Amerika Latine dhe Karaibet dhe 13,000 nga Azia Jugore. Në këtë kuotë do të ketë hapësirë për 12,500 aplikacione, pa përcaktim të territorit.

Top Channel