Mianmar, shkon në 765 numri i viktimave në protestat kundër grushtit të shtetit

04/05/2021 03:13

Është rritur në 765 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes me armë nga forcat e sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grusht shtetit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 6 të vdekur, në protestat në qytetet Hpakant, Wetlet, Mandalay dhe Hsipaw duke rritur në të paktën 765 numrin e viktimave. Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 3.555 persona dhe se ka një urdhër arresti për 1.369 persona të tjerë.

Ndërkohë Baw Kyaw Heh, lideri i Unionit Kombëtar Karen (KNU), një prej grupeve të armatosura etnike kundër grushtit të shtetit, duke theksuar se rezistenca që ka filluar në mbarë vendin pas grusht shtetit të 1 shkurtit është një mundësi e madhe për grupet etnike, tha se “Kjo mundësi duhet vlerësuar mirë dhe të luftojmë kundër diktaturës ushtarake”. Ai u bëri thirrje grupeve tjera etnike për të vepruar së bashku për të shpëtuar nga administrata ushtarake.

Top Channel