Tri figura të njohura shqiptare, Ismail Qemali, Aleksandër Moisiu dhe Ahmet Zogu në shtypin francez. Kush ishin ata? Nga erdhën? Cila ishte veprimtaria e tyre politike dhe artistike? Dhe përse ishin aq të dëshiruar në gazetat e kohës në fundin e shek. të XIX-të dhe mesin e shek të XX-të?
Ismail Qemali – Gjatë karrierës së tij ka pasur funksione të rëndësishme në Perandorinë Osmane si diplomat, guvernator, këshilltar shteti, kryetar partie politike, por postin më të rëndësishëm të jetës së tij e ka mbajtur në Shqipëri.Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, si një politikan me eksperiencë, ai u bë kryeministri i parë i shtetit të parë të pavarur shqiptar, që prej rrugës që hapi heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.Shkrimet e shumta që janë shkruar për të në shtypin francez të kohës, dëshmojnë se ai ka qenë një udhëheqës largpamës, i cili nuk reshti kurrë së mbrojturi çështjen shqiptare pranë mjediseve angleze, franceze, italiane, austro-hungareze dhe sigurisht ato turke.Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është nderi dhe kontributi më i madh i tij ndaj kombit shqiptar. Nuk ka qenë një mision i lehtë. Udhëtimet, peripecitë që ka hasur për ta përmbushur, nuk e kanë penguar që t’i shkojë deri në fund këtij misioni.
Aleksandër Moisiu – Marrëdhëniet e këtij gjiganti të skenës me Francën kanë qenë vërtet speciale, të llojit “je t’aime, moi non plus…”. Si një ikonë e teatrit të Kontinentit të Vjetër, shtypi francez i kohës i ka kushtuar një seri shkrimesh që nga viti 1912 e deri më 1935-n, duke ndjekur në këtë mënyrë lëvizjet e tij nëpër disa shtete si në Francë, Austri, Gjermani, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holandë, Argjentinë, Rumani dhe Belgjikë. Rikthimi i tij i fuqishëm në skenën e teatrit francez dhe “pajtimi” me publikun vendas do të ndodhë vetëm disa vite më vonë, në tetor të 1927-s, megjithëse ishte parashikuar që të shkonte në qershor të po atij viti, por disa mosmarrëveshje ose keqkuptime bënë që ky rithkim të shtyhej për disa muaj. Aleksandër Moisiu do të shkëlqejë në Francë duke aktruar si në gjuhën e Gëtes ashtu edhe në atë të Molierit.
Ahmet Zogu –Ndikimi i Ahmet Zogut, Geraldina Apponyi-t dhe fami-ljes mbretërore shqiptare në shtypin francez të kohës ka qenë i jashtëzakonshëm. Nga vitet 1920-1950 ose nga viti 1923 deri në 1952 janë botuar me qindra shkrime, shpeshherë në faqet e para të gazetave më të fuqishme, si Le Figaro, Le Temps, Paris-soir, Excelsior, Paris-Midi etj. Shumica prej tyre i përkasin periudhës së shpalljes së mbretërisë (1928), fejesës dhe martesës (1938) dhe largimit të detyruar nga Shqipëria (1939) nëpër shtete si: Greqia, Turqia, Rumania, Polonia, Estonia, Suedia, Norvegjia, Belgjika, Franca, Anglia dhe Egjipti.
Sigurisht Ahmet Zogu ka qenë në qendër të vëmendjes, si arsye e angazhimeve të tij kombëtare si kryeministër, president i republikës dhe mbret i shqiptarëve. Përtej artikujve të shumtë që i janë dedikuar, ai ka dhënë gjithashtu disa intervista brenda dhe jashtë Shqipërisë për gazetarë, romancierë e politikanë të huaj perëndimorë.
Të dhëna për librat
Autori | Aurenc Bebja |
Shtëpia botuese | Botimet Toena |
Kategoria | Histori |
Numri i faqeve | 288 |
Data e botimit | Nëntor 2020 |
Top Channel