Rekord shpresëdhënës ne SHBA/ 103 milionë amerikanë të vaksinuar plotësisht

02/05/2021 16:21

Numri i amerikanëve që janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit ka shkuar në 103 milionë ose 31.2 për qind e popullatës totale.

Ndërsa 44 për qind ka marrë të paktën njërën dozë. Të dhënat janë bërë publike nga qendra për kontrollin e sëmundjeve sipas të cilës numri i infektimeve ditore në SHBA tashmë ka rënë në 16 përqind.

Shifra prej mbi 100 milionë të vaksinuarish plotësisht, sipas zyrtarëve përbën një rekord që sjell optimizëm për të ardhmen.

“Unë mendoj se mund të themi me besim se më e keqja ka kaluar”, thanë ekspertët duke shtuar se Amerika nuk do të shohë më shifrat alarmante të së shkuarës. I vetmi kërcënim i mbetur, sipas tyre, është përhapja e varianteve, që do ta bënte edhe fushatën e imunizimit më të vështirë. Më shumë se 243 milionë doza vaksine janë administruar në SHBA, sipas të dhënave.

Rreth 3.3 milionë doza janë administruar nga e premtja, cka do të thotë se mesatarja shtatë ditore e vaksinimit në shba është rreth 2.5 milionë doza në ditë. Më shumë se 146 milionë njerëz kanë marrë tani të paktën njërën dozë dhe më shumë se 103 milionë të tjerë janë vaksinuar plotësisht.

Sidoqoftë, SHBA ka ende rrugë për të bërë drejt të ashtuquajturit imunitet të tufës, që do të arrihet vetëm kur 70-85 për qind e popullatës të jetë vaksinuar. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se e vetmja mënyrë për të ulur numrin e viktimave është përshpejtimi i imunizimit.

Top Channel