Shtypja për vdekje në Izrael/ Paniku ngjeshi turmat drejt tunelit ku u vranë 45 besimtarë (fotot)

30/04/2021 16:54

Turmat e besimtarëve hebrej në panik, kishin shtyrë njëra-tjetrën drejt tunelit që u bë “gracka e vdekjes” së të paktën 45 prej tyre në festivalin fetar.

Katastrofa e festivalit Lag B’Omer në Meron, ndodhi dje pak pas mesnatës.

Mijëra njerëz kishin ardhur në malin Meron për grumbullimin më të madh të njerëzve që prej nisjes së pandemisë së Covid 19.

Kaosi nisi kur pjesëmarrësit u futën në një kalim të ngushtë të metaltë, teksa mijëra të tjerë kërkonin të dilnin, duke nisur shtypjen e vdekjes dhe ngjeshjen e trupave të vdekur njëri-mbi tjetrin, ku përveç të vdekurve rreth 150 u plagosën, disa në gjendje kritike.

Hetimet e policisë zbuluan se rrëshkitja kishte krijuar një “ortek njerëzor”, sipas agjencisë vendase Ynet, ndërsa dëshmitarët thonë se policia kishte bllokuar daljen pasi tuneli ishte i rrezikshëm.

Një prej të mbijetuarve i quajtur David, tha: “Trupat tanë nisën të rrokulliseshin vetë. Njerëzit  nuk kishin kontroll në lëvizjen e tyre, disa ngriheshin në ajër, të tjerë shtypeshin përtokë”.

“Ishte një fëmijë që më kapte vazhdimisht nga këmba, ishte duke luftuar për jetën. Më pas pritën 15 deri në 20 minuta për të ardhur ndihma, ishte e tmerrshme”.

Eli Beer, kreu i shërbimeve të emergjencës Hatzalah tha se mes viktimave kishte fëmijë.

“Fatkeqësisht gjetëm fëmijë të vegjël që ishin shtypur për vdekje. Është shokuese sesa njerëz u lejuan të hynin,” tha ai

Vetëm 10,000 njerëz supozohej të merrnin pjesë, në por turmat kishin arritur deri në 100,000.

Eli Pollack, kreu i shërbimeve të emergjencës Hatzalah tha se dalja e ngushtë u kthye në një grackë vdekjeje.

Dëshmitari Zohar tha se viktimat kishin “humbur ngjyrën e fytyrës”.

“Unë isha poshtë shkallëve të stadiumit, u përpoqa të ngjiten mes kaosit por njerëzit thërrisnin ‘shpëtoni, shpëtoni, njerëzit po vdesin’. Njerëzit binin nga lart dhe shtypnin njëri-tjetrin. Nuk do t’i harroj kurrë ato zhurma rëniesh të trupave, njerëzit fluturonin në ajër”.

Hetimet kanë nisur për neglixhencë të policisë në incident.

Kreu i policisë Shimon Lavi, i cili u kujdes për sigurinë e eventit tha se merrte përgjegjësinë për katastrofën.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e përshkroi tragjedinë si një “katastrofë të rëndë”.

Grumbullimi ndodhi në varrin e një dijetari fetar të shekullit të 2-të teksa besimtarët u ngjeshën për vdekje në një kalim të ngushtë për të dalë nga eventi.

Tragjedia është nga më të rëndat në kohë paqeje në Izrael, me numër të njëjtë viktimash sa dhe zjarri i vitit 2010 në pyjet e malit Carmel.

FOTO GALERI
3/15
Katastrofa e festivalit Lag B'Omer në Meron, ndodhi dje pak pas mesnatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA