Rikthehen tensionet SHBA-Rusi, ambasada amerikane redukton stafin

30/04/2021 16:27

Tensionet mes SHBA-së e Rusisë, nuk janë fashitur. Ambasada amerikane në Moskë njoftoi se do të reduktojë numrin e shërbimeve konsullore, dhe shkak për këtë sipas saj janë kufizimet që i ka vënë Rusia në punësimin e stafit lokal.

Nga 12 maji, Ambasada Amerikane në Moskë do të ofrojë vetëm shërbime emergjente për qytetarët amerikanë dhe një numër shumë të kufizuar të vizave të emigracionit“, tha ambasada në një deklaratë te saj.

Një javë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, e urdhëroi qeverinë të hartonte një listë të shteteve “jomiqësore” ndërsa firmosi edhe një ligj për të kufizuar numrin e stafit lokal që punon në misione të huaja diplomatike dhe agjenci të tjera. Washingtoni dhe Moska kanë hyrë në një fazë të re të tensioneve mes tyre. Shtëpinë e Bardhë ka shpallur sanksione ndaj Rusisë për shkak të sulmeve kibernetike, ndërhyrjeve në zgjedhje dhe kërcënimeve ndaj ushtarëve amerikanë në Afganistan.

Një çështje tjetër që ka prekur raportet mes dy vendeve është burgosja dhe shëndeti i kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, por edhe situata e rënduar në Ukrainën lindore dhe akuzat e përfshirjes ruse në një shpërthim vdekjeprurës në një depo municionesh në Republikën Çeke në 2014.

Top Channel