Borell “dorëzohet” para Kurtit/ Dialogu Kosovë-Serbi rinis në qershor dhe jo në maj

30/04/2021 01:35

Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE, Joseph Borell tha pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se dialogu i ngecur Prishtinë-Beograd rinis në qershor. Kurti e konfirmoi dhe vetë pjesëmarrjen e Kosovës, edhe siç u shpreh ai, procesi duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.

‘Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, e pastaj ai do të dërgohet në Kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut’- tha Kurti.

Borell u shpreh se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë.

‘Rruga europiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën europiane. Në të kundërt, rruga do të jetë e bllokuar’- tha Borell.

Më herët, Kurti qe shprehur se nuk do të merrte pjesë në takimin e 11 majit që Borell kishte paralajmëruar, e që duhet të shënonte sipas tij rinisjen e bisedimeve të Kosovës me Serbinë. Presidenti serb Vuçiç nga ana e tij qe shprehur se nuk e kishte problem nëse Kurti nuk shkonte në atë takim.

“Nëse thonë se nuk mbahet, edhe më mirë, do të bëjë diçka të mirë në vend të kësaj e do të kem më pak probleme atë ditë”, citohet të ketë thënë ai.

Top Channel