SPAK

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha po ndjek proceset në lidhje me hetimin e akuzave zgjedhore.

Prokuroria e posaçme SPAK këmbëngul dhe insiston në bashkëpunimin e publikut, por edhe politikës për të sjellë të dhëna për krime zgjedhore që kanë lidhje me zgjedhjet e 25 prillit.

Jo zyrtarisht burime për gazetaren Anila Hoxha bëjnë me dije se për listën e publikuar nga media Lapsi. al të patronazhimit, me të dhënat e 900 mijë qytetarëve, është ashpërsuar qëndrimi i SPAK dhe ky procedim penal përveç hapjes së informacionit vetiak është regjistruar gjithashtu dhe për korrupsion aktiv në zgjedhje që sipas kodit penal përfshin nenin 328 dhe që do të thotë se ofrimi i çdo të mirë paraje apo favorizim tjetër përbën vepër penale dhe dënohet nga 1-5 vite burg.

Njëkohësisht sipas SPAK në qëndrimin zyrtar , ku u publikua dhe apeli për ndihmë nga publiku thuhet se nga 33 hetime të hapura , 27 prej tyre janë për akuzën e korrupsionit aktiv, që sërish ka lidhje me ofrimin e parave apo çdo favori tjetër në këmbim të votave. Të gjitha këto lidhen me referimet dhe kallëzimet e policisë gjyqësore në policinë e shtetit.

Në dy raste dy zyrtarë të lartë janë në hetim për përdorim të funksioneve publike në favor të zgjedhjeve thuhet më tej në qëndrimin e SPAK.

Në total që prej marsit u dorëzuan 90 kallëzime, prej të cilave janë në procedim vetëm 33. Ndërkohë edhe kallëzimet e Presidencës janë deleguar për hetime të mëtejshme në policinë e shtetit.

SPAK ka tërhequr edhe 3 çështje që lidhen me arrestimet në flagrancë apo edhe me denoncimin publik dhe video publike të shfaqura nga Top News ku një kandidat i LSI shfaqet duke bërë pazare në këmbim të votës.

Top Channel