Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny ka bërë paraqitjen e parë para gjykatës që nga ndërprerja e grevës tre javore të urisë. Me kokë të rruar dhe fytyrë të tronditur, Nalavny akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin se po bën përpjekje për të qeverisur Rusinë “përgjithmonë” dhe se kujdeset vetëm për “mbajtjen e pushtetit”.

Edhe pse dukej i lodhur, gjuha e tij ishte më e ashpër se kurrë më parë.

Ai e përshkroi Putinit si një “mbret pa rroba i cili po plaçkiste njerëzit” dhe po u pengonte rusëve një të ardhme. Ai tha se Rusia nën sundimin e Putinit “vazhdon të degradohet çdo vit”.

Navalny foli përmes videolink-ut.Gjykatësi refuzoi apelin e Navalny kundër një gjobe për shpifje ndaj një veterani të Luftës së Dytë Botërore.

Komentet e kritikut më të zëshëm të Putinit erdhën disa orë pasi aleati i tij i ngushtë, Leonid Volkov, postoi një video në YouTube duke thënë se rrjeti i selisë rajonale Navalny po mbyllej pasi ishte bërë “e pamundur” të mirëmbaheshin operacionet pas goditjes nga autoritetet e Rusisë.

Gjykata e Qytetit të Moskës tha më 29 prill se më 17 maj do të vendosë lidhur me një kërkesë të paraqitur nga prokurorët për të shpallur si “ekstremiste” tre organizata të lidhura me Navalnyn: Fondacionin Anti-Korrupsion, Fondacionin e Mbrojtjes së të Drejtave të Qytetarëve dhe selitë rajonale Navalny.

Organizata ndërkombëtare Amnesty International ka thënë se kjo masë është “një nga goditjet më serioze për të drejtat e lirisë së shprehjes në historinë post-sovjetike të Rusisë”.Të premten (23 prill) Navalny njoftoi se do ta përfundojë grevën e tij të urisë.

Përmes një postimi në Instagram, Navalny tha se shëndeti i tij është i përkeqësuar dhe se po vazhdon të kërkojë që ai të kontrollohet nga mjekët e tij personal.

Më 22 prill, mjekët i thanë atij se duhet ta përfundojë grevën e urisë, dhe se nëse ajo vazhdon edhe pak “nuk do të kenë më një pacient për të trajtuar”.

Ai kishte hyrë në grevë urie pasi kërkonte trajtim më të mirë në burg.

Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas sulmin me agjent helmues në Siberi. Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor kimik – Noviçok – ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Kremlini ka mohuar çdo rol në helmim.

Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që ndërsa ishte në Gjermani, Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një lëndë e vjetër gjyqësore./REL/

Top Channel