Turqia gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 43.301 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19), përfshirë 2.703 pacientë simptomatikë, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me këtë virus në vend ka tejkaluar shifrën 4.71 milionë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i vdekjeve nga koronavirusi po ashtu është rritur në 39.057, me 346 viktima të regjistruara brenda ditës së fundit.

Rreth 45.592 pacientë të tjerë fituan betejën kundër virusit, duke e çuar në mbi 4.16 milionë numrin e përgjithshëm të pacientëve të shëruar nga pandemia. Që nga shpërthimi i pandemisë, autoritetet shëndetësore turke kanë kryer mbi 46.43 milionë teste të dyshuara për COVID-19, përfshirë 282.192 teste të kryera gjatë ditës së fundit.

Shifrat e fundit tregojnë se aktualisht numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 në gjendje kritike është 3.549. Që nga 14 janari kur filloi fushatën masive të vaksinimit, Turqia ka administruar pothuajse 22 milionë doza të vaksinës COVID-19, përfshirë rreth 8.45 milionë qytetarë të cilët tashmë kanë marrë të dy dozat e vaksinës.

Turqia nga mbrëmja e të enjtes deri më 17 maj do të zbatojë një bllokim të plotë, bllokim që do të mbulojë pjesën e mbetur të muajit të Ramazanit, si dhe tre ditët e festës së Fitër Bajramit. Që nga dhjetori i vitit 2019, pandemia COVID-19 në mbarë botën ka marrë mbi 3.12 milionë jetë njerëzish. Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, deri më tani në të gjithë botën janë raportuar mbi 148 milionë raste të virusit, përfshirë mbi 85.7 milionë pacientë të cilët kanë fituar betejën kundër pandemisë.

Top Channel