Meta nuk jep dorëheqjen! PS gati të nis procedurat për shkarkimin. Presidenti: Të gjithë e dinë si i fitoi zgjedhjet Rama

28/04/2021 15:38

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dha një deklaratë të fortë ditën  e sotme, ku theksoi se pas përfundimit të numërimit të votave, PS do të nisë procesin e shkarkimit të presidentit.

Përmes një postimi në Twitter numri dy i PS-së,ironizoi se mazhoranca do t’ia bëjë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!

Pas këtij reagimi, presidenti u shpreh se është gati për të të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës, duke folur me një gjuhë të ashpër.

“Kërcënimi i fundit, që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ka vetëm një përgjigje: Presidenti, gati për të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e Shqiptarëve! Vdekje tradhëtarëve!”, shkruan Meta.

Para disa orësh presidenti përmes zëdhënësit të tij saktësoi se Meta do të jetë në krye të LSI-së më 24 korrik të vitit 2022.

Reagimi i Tedi Blushit

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon Kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve.

Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore.

Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morrën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.

Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve. 🇦🇱

Ky reagim nga presidenca vjen pas deklaratës së kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi e cila tha se votat e tyre u vodhën, dhe pranoi se ishte një gabim djegia e mandateve. 

Duhet të kujtojmë se para zgjedhjeve presidenti Meta ka thënë se nëse PS merrte 71 mandate do të jepte dorëheqjen, gjë që nuk është pranuar akoma edhe pse PS mori 74 mandate në zgjedhjet e zhvilluara më 25 prill.

Top Channel