Top Talk: Meta humbi “Referendumin Anti-Rama”. Do japë dorëheqjen presidenti?!

27/04/2021 21:04

Edhe pse paralajmëroi se dorëheqjen nga posti i Presidentit nëse Edi Rama merrte 71 mandat, Ilir Meta nuk e mban fjalën për ta dhënë dorëheqjen nga pozicioni i Presidentit të Republikës.

Meta doli sot në një deklaratë për shtyp nga Presidenca dhe ka folur sikur të mos kishte hedhur akuzat më të rënda për procesin zgjedhor por e përshëndeti atë. Meta ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve duke thënë se në shtator krijohen institucionet e reja dhe deri atëherë ka kërkuar të tregohet maturi dhe reflektim nga partitë politike.

Për këtë temë u fol edhe në “Top Talk” ditën e sotme, ku i ftuar ishte gazetari Carlo Bolino, i cili u shpreh se tashmë jemi përballë dy premtimeve, nga një anë premtimi që Presidenti Meta ka bërë dhe nuk e ka mbajtur dhe nga ana tjetër Kryeministri Rama paralajmëroi dy skenare për fatin e tij në Presidencë: “ose jep dorëheqjen, ose do të shkarkohet”.

“Në rastin e parë kur shumica e ka kërkuar procedurën e shkarkimit ata kanë kërkuar një konsulencë te komisioni i Venecias dhe përgjigjja nga Komisioni i Venecias tha që nuk e meriton shkarkimin. Për këto arsye PS, ndoshta duke marrë përsipër edhe një kosto politike është tërhequr. Tani jemi përballë dy premtimeve parazgjedhore, premtimi i Metës që do japë dorëheqje dhe premtimi i Ramës që do shkarkohet Meta nëse nuk e jep dorëheqjen.

Rama e ka përcaktuar si një detyrë e qeverisë aktuale. Ne do ta verifikojmë nëse shumica socialiste merr kurojën, pa u konsultuar me Venecian, për të filluar një procedurë shkarkimi, sepse Meta ka tradhtuar kushtetutën, të cilat përcaktojnë në mënyra strikte kompetenca të Presidentit, qartëson që ai nuk mund të mbajë asnjë kompetencë përveç atyre pesë të parashikuara. Mbrojtje të votave apo thirrje për reagimeve të armatosura ndaj shkeljes zgjedhore nuk është parashikuar si kompetence e Presidentit. Në këto raste, ai duhet të ndëshkohet”, u shpreh Bolino.

“Fitimi i kohës që vjen nga deklarata e Metës është për të parë nëse Rama dhe shumica socialiste do të fillojë apo jo procedurat e shkarkimit. Ndoshta edhe për tu paraqitur si viktimë, ai ka shumë pak për të humbur, por edhe shumë pak për të fituar”, shtoi më tej ai.

Top Channel