Mafia Sëpata e Zezë/ Policia në Itali kap 30 anëtarë të bandës së frikshme nigeriane

27/04/2021 01:48

Policia italiane tha sot se në disa aksione të koordinuara në të gjithë vendin janë arrestuar 30 anëtarë të dyshuar të mafias nigeriane “Sëpata e Zezë”.

Autoritetet thanë se të ndaluarit përballen me 100 akuza duke përfshirë trafik njerëzor e drogash, prostitucion dhe mashtrime interneti.

Banda raportohet se ka përdorur kripto-valutën Bitcoin për transaksionet e saj ilegale në “rrjetin e errët”.

‘Sëpata e Zezë’ ka lindur në Nigeri në vitet 1970-të, kur nisën fushatën e terrorit duke kryer gjymtime, përdhunime, e vrasje ritualesh. Më tej ata krijuan një rrjet të fuqishëm ndërkombëtar.

“Ka prova se të ndaluarit kishin lidhje direkte anëtarët e bandës së Nigerisë, duke përdorur të njëjtin fjalor, të njëjtat simbole dhe të njëjtat rituale”, njoftonte policia.

Arrestimet u kryen në 14 provinca të Italisë dhe përfshinin te dyshuarin si liderin e “Sëpatës së Zezë” në Itali, një 35-vjeçar që jeton në L’Aquila, në rajonin qendror të Abruzzo, tha agjencia Reuters.

“Kjo provon aftësinë e gjyqësorit dhe policisë për të luftuar si grupet e vjetra dhe të reja mafioze në vend, që tentojnë të zgjerojnë influencën dhe aktivitetet e tyre fitimprurëse”, tha ministrija e brendshme italiane Luciana Lamorgese.

Grupi është një nga shoqëritë sekrete famëkeqe të Nigerisë dhe fillimisht quhej lëvizja “Neo-Zezake” dhe kishte si objektiv “çlirimin” e racës se njerëzve me ngjyrë.

Por tashmë grupi nuk duhet se udhëhiqet më nga ideologjia por fitimet dhe etja për gjak.

Anëtarët e Sëpatës së Zezë akuzohen për vrasje të shumta dhe sulme seksuale.

Shoqëri të tjera sekrete nigeriane të njohura si “vllazëri” apo “kulte” njihen me emra si Vikings, Eiye (Zogu), apo Buccaneers.

Ato kanë një zinxhir drejtimi të ngjashëm me grupet militante dhe përdorin kode e simbole te fshehta. Drejtuesit e tyre i premtojnë anëtarëve të rinj mbrojtje nga bandat rivale. Këto shoqëri sekrete janë ndaluar në Nigeri dhe qindra anëtarë janë arrestuar gjatë viteve. Ato veprojnë kryesisht në kampuset universitare ku joshin anëtarë të rinj.

FOTO GALERI
1/3
Policia italiane tha se janë arrestuar 30 anëtarë të dyshuar të mafias nigeriane “Sëpata e Zezë”.

Top Channel