Exit Poll/ PS 71, mandate, PD 63, LSI 6/ Top Channel publikoi rezultatet e realizuara nga Albanian Post

26/04/2021 00:22

Në nivel kombëtar Partia Socialiste merr 71 mandate, pra 46.9% kanë votuar për të majtët, 43.5% për Partinë Demokratike, duke i dhënë 63 mandate, ndërsa 6.9% kanë votuar për Lëvizjen Socialiste për Integrim, që merr vetëm 6 mandate.

Këto janë rezultatet e Exit poll-it të Top Channel, realizuar nga “Albanian Post” për zgjedhjet e 25 prillit në vendin tonë.

Surpriza më e madhe e këtij exit polli rezulton Tirana, që me sa duket do të ketë një betejë të ashpër deri në momentin e fundit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ndajnë midis tyre 17 mandate, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim merr 2 mandate. PS fiton në kryeqytet 44.6% të votove, ndërsa PD 46.4% të votave. Partisë Demokratike i duhen 4000 vota për të marrë mandatin e 18-të, dhe nëse kjo ndodh është përmbysja më e madhe që ka pasur Tirana, sipas autorit të këtij exit polli, Baton Haxhiu.

Nga 14 mandate në qarkun e Durrësit, Partia Socialiste, nxjerr 8 deputetë me 52.6% të votave ndërsa Partia Demokratike merr 6 mandate me 42.9% të votave.

Në Elbasan, PS kryeson me 8 mandate me 53.4% të votave, PD merr 6 mandate ndërsa për LSI-në rezultati duket zhgënjyes, pasi nuk merr në këtë qark asnjë mandat.

Në Fier Partia Socialiste merr 8 mandate, Partia Demokratike 6 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1. Loja duket e hapur për Fierin, pasi ka mundësi të rriten mandatet e PD-së, por duket shumë e vështirë që LSI të marrë mandatin e dytë.
Partia Socialiste ruan Vlorën si bastionin e saj, pasi sipas rezultateve fiton 8 mandate, Partia Demokratike merr 4 mandate ndërsa LSI nuk merr asnjë mandat.

Në qarkun e Korçës beteja duket e mbyllur në mënyrë të barabartë mes PS-së dhe PD-së, që fitojnë nga 5 mandate, ndërsa LSI fiton vetëm 1 mandat.

Të dhënat e exit pollit tregojnë se në Shkodër Partia Demokratike merr 6 mandate, PS merr 4 mandate dhe LSI 1 mandat. Sipas autorit Baton Haxhiu, gara është e hapur edhe për PSD-në e drejtuar nga Tom Doshi, që mund të sigurojë 1 mandat, të cilin ia merr PD-së.

Në qarkun e Beratit, sipas projeksionit, PS merr 4 mandate, PD 2 mandate, ndërsa LSI duket se ka humbur votuesit pasi ka marrë vetëm 13% të votave, që përkthehet në një mandat.

Në qarkun e Lezhës, Partia Demokratike fiton 4 mandate ndërsa Partia Socialiste 3 mandate.

Rezultatet e Exit pollit, i japin në Dibër 3 mandate Partisë Demokratike dhe 2 Partisë Socialiste.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, ndajnë mandatet në mënyrë të barabartë mes tyre, në qarkun e Gjirokastrës, përkatësisht me 2 mandate.

Në qarkun e Kukësit, Partia Demokratike rezulton fituese pasi 63.8% e qytetarëve kanë votuar për të djathtën, vota që përkthehen në 2 mandate, ndërsa 35% kanë votuar për Partinë Socialiste, duke i dhënë një mandat.

Rezultatet e këtij Exit polli, u publikuan në Top Channel, menjëherë pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit të së dielës

Top Channel