Zgjedhjet e 25 prillit/ Ja qytetet ku në qendrat e votimit janë hasur probleme me identifikimin biometrik

25/04/2021 11:00

Ndërsa procesi i votimit ka nisur zyrtarisht që në orën 07:00, në disa qarqe ka pasur vështirësi, e në disa prej tyre ende nuk kanë filluar qytetarët të votojnë.

Konkretisht probleme janë hasur në Lushnjë, Kavajë, Kukës, Devoll dhe Korçë.

Në Lushnjë janë rreth 20 qendra votimit që nuk e kanë nisur votimin për shkak se në disa prej tyre ka mungesë të operatorëve dhe arsyeja tjetër është mosfunksionimi i pajisjeve identifikuese e kartave të identitetit.

Në Kavajë procesi ka nisur normalisht, ndërsa në një qendër votimi, 2161 nuk po gjejnë ende zarfet dhe nuk ka filluar votimi, ndërsa në një qendër tjetër, 2125 pasi nuk punon identifikimi. Një tjetër problem i hasur në Kavajë është fakti se në qendrën e votimit 2192 ka nisur procesi i votimit pa përdorimin e pajisjes se leximit elektronik të kartave të identitetit. Sipas kryetares së Komisionit Romina Leçini shkak është mos paraqitja e operatorit të pajisjes për këtë arsye votimi nisi manualisht duke mbajtur shënim numrat e mjeteve të identifikimit.

Deri tani procesi vazhdon normalisht, por pjesëmarrja është e ulët. Në orët e mesditës pritet të ketë një rritje të fluksit të votuesve.

Ndërsa në Kukës në tri prej qendrave të votimit ka pasur vonesë në funksionalizimin e pajisjeve elektronike për verifikim të qytetarëve me të drejtë vote.

Devolli ka nisur me probleme ditën e zgjedhjeve, pasi disa komisionerë nga të treja partitë nuk janë paraqitur në sekondat e fundit dhe po zëvendësohen.

Ndërkohë ka ndodhur një problem në disa qendra votimi në Mat pasi ka vështirësi në përdorimin e pajisjeve elektronike. Në dy qendra votimi në Mat votimi ka nisur manualisht pa operator, pasi KQZ nuk i ka dërguar ata.

Ndërsa në Korçë mësohet se një problem teknik ka ndodhur, pasi në qendrën e votimit e vendosur në Gjimnazin “Themistokli Gërmenji” është prishur pajisja e identifikimit biometrik. Por fatmirësisht ky problem është rregulluar dhe tashmë procesi i votimit ka vijuar normalisht. Ndërkohë në fshatin Trestenik në Devoll, pas dy orësh ndërprerje ka nisur procesi i votimit manual. Problemet janë shkaktuar pasi nuk ka shkuar operatori.

Po ashtu gazetarja e Top Channel nga Korça raporton se në fshatin Pirg është ndërprerë procesi i votimit për shkak se aparatura e identifikimit biometrik ka pësuar probleme. Pajisja është ndërruar por sërish ka probleme dhe pritet njoftimi nga KQZ. Po ashtu probleme janë hasur edhe në disa qendra të tjera votimi në Korçë për shkak të defekteve që kanë pasuar aparaturat.

Në Libonik ka rreth 1 orë që është pezulluar votimi, me urdhër nga KQZ. Sipas burimeve bëhet me dije që ka pasur debate midis komisionerëve të PS dhe PD. Komisionerët e PD-së thonë se punonjësit e  administratës së Bashkisë Korçë janë jashtë dhe për presion kanë marrë vulat dhe janë larguar. Bëhet fjalë për qendrën e votimit 3822,3813.

Po ashtu probleme janë hasur edhe në Dibër, pasi në disa qendra votimi ka mungesë dokumentacioni dhe kamerash.

Në qendrën e votimit KZAZ 57 , Shkolla Petro Sota, në Sarandë janë hasur probleme me pajisjen që bën identifikimin elektronik. Në këtë qendër votimit pritet të votojnë 44265 qytetarë, 20922 femra – 23343 meshkuj. Pavarësisht këtij probleme ka vijuar procesi me regjistrimin manual të votuesve.

Edhe në qendrën e votimit 4662/2 në kopshtin nr 1 Sarandë, nuk punon identifikimi biometrik i qytetarëve. Pajisja identifikon kartën e identitetit, por nuk punon versioni i identifikimit të gishtit.

Probleme me identifikimin biometrik të qytetarëve është hasur edhe në Peqin. Mësohet se në ato qendra votimi ku nuk punon pajisja e identifikimit biometrik ka vazhduar identifikimi manual i tyre. Po në Peqin në KZAZ 44 nuk janë paraqitur disa anëtarë të komisioneve të qendra të votimit dhe disa operatorët që menaxhojnë aparaturat e kartës së identitetit  dhe shenjës së gishtit.

Në Kuçovë, në KZAZ 64 ka pasur probleme në 7 qendra votimi për identifikimin e zgjedhësve. Në 3 është rregulluar, ndërsa 868 votues  po identifikohen manualisht.

Gazetarja Anila Hoxha, e cila është duke raportuar nga shkolla Marilo Gorezi’ në Shkozë , ka njoftuar se është bllokuar procesi i votimit.

Problem për ndërprerjen e procesit të votimit çka ka krijuar edhe radhë të qytetarëve që presin të shprehin vullnetin e tyre me votë është bërë fakti se pajisja elektronike nuk po printonte qartë të dhënat e votuesve.

Pas këtij momenti komisionerët kanë marrë urdhër për pezullimin e votimit në këtë qendër votimi.

Një prej komisionervëve tha për mikrofonin e “Top Channel” se “Pajisja elektronike nuk po printon qartë të dhënat e votuesve. Procesi ka nisur në 07:00 dhe vazhdoi deri në 08:30. Është lajmëruar teknika dhe do shkojë operatori të tërheqë një pajisje tjetër. Proccesi është pezulluar për momentin dhe nuk po votohet më”.

Po ashtu ndaluar votimi për një orë në Ersekë në 40451, pas problemeve me aparaturën e identifikimit të karatvbe të identitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA