Partia Socialiste në një tjetër deklaratë për media falënderon të gjithë votuesit për pjesëmarrjen në këto votime.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për patronazhistët dhe koordinatorët elektoralë, ndërkohë që i bëjnë thirrje numëruesve dhe vëzhguesve të çojnë deri në fund këtë proces të rëndësishëm.
“Shumë faleminderit gjithkujt që votoi. Ishte një ditë e gjatë por edhe një ditë e bukur, jo vetëm nga dielli edhe sepse patëm një manifestim qytetarë, përgjegjësie demokratike, nga Tropoja në Konispol. Vullneti i popullit shqiptar është shprehur dhe është koha e leximit me përgjegjësi të lartë të çdo vote dhe në çdo kuti. Në emër të PS dhe kryetarit, një falënderim për të gjithë patronazhistët dhe koordinatorët elektoralë. Mirënjohje për punën tuaj fantastike, deri minutën e fundit të këtyre muajve të gjatë, por tanimë ju mund të ndiqni rezultatet nga shtëpitë tuaja. Ky është momenti i numëruesve dhe vëzhgueseve, të cilëve tani ju kërkohet një përgjegjësi e lartë ligjore dhe qytetare, për të numëruar në mënyrë korrekte. Le ta çojmë deri në fund me sukses këtë proces kaq të rëndësishëm. Kjo është një pjesë shumë emocionuese e ndeshjes, kur të gjitha llojet e hamendësimeve ja lënë vendin rezultatit final. Faleminderit të gjithë qytetarëve që ushtruan të drejtën e votës sot dhe provuan më së miri që dinë ta manifestojnë këtë të drejtë”, shprehet zëdhënësja e fushatës së PS, Bora Muzhaqi, në deklaratën për media.
Top Channel