“Asnjë komb nuk mund të pranojë kërcënimin e terrorizmit”/ Ministri Hoxha për luftën në Gaza: Jemi anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe do të…
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në ekonomi, siguri, teknologji dhe turizëm.
Në deklaratën e përbashkët pas takimit në Tiranë, ministri Hoxha e cilësoi vizitën një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar se miqësia historike mes Shqipërisë dhe Izraelit po shndërrohet në një partneritet gjithnjë e më të fortë.
Një nga zhvillimet kryesore të vizitës ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkëpunimin e Përgjithshëm mes Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Izraelit. Dokumenti synon të krijojë një mekanizëm të strukturuar për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë ekonominë, tregtinë, inovacionin, teknologjinë, bujqësinë, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën.
Hoxha vuri theksin te bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Izraeli i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës dixhitale pas sulmeve kibernetike të vitit 2022, të cilat, sipas tij, u kryen nga Irani dhe grupe të lidhura me të.
“Sipas të dhënave tona, ju jeni ministri i tretë i Jashtëm i Izraelit që vizitoni Shqipërinë.
Mund të themi me plot të drejtë: i treti, i vërteti! Dhe kemi arsye ta themi këtë, sepse, siç sapo ramë dakord, ky moment shënon pikën më të lartë të marrëdhënieve tona. Ai jo vetëm konfirmon miqësinë e kahershme mes dy vendeve tona, por dëshmon edhe për një partneritet në rritje, që po thellohet e forcohet më tej.
Sot rikonfirmuam angazhimin tonë të palëkundur, si dhe vullnetin e përbashkët politik dhe dëshirën gjithnjë në rritje për ta forcuar më tej partneritetin tonë.
Sapo nënshkruam Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona.
Ajo krijon një mekanizëm të strukturuar përmes të cilit vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë dhe tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën. Ajo hap mundësi të reja për institucionet tona që të punojnë së bashku dhe të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët tanë.
Siguria mbetet një shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë kibernetike ka marrë një rëndësi të veçantë vitet e fundit. I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale. Që prej asaj kohe, kemi vijuar të investojmë në qëndrueshmërinë e infrastrukturës sonë dixhitale dhe do ta forcojmë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë jetike.
Partneriteti ynë po zgjerohet edhe në fushën ekonomike. Ne shohim potencial të konsiderueshëm për diversifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe na inkurajon interesi gjithnjë në rritje i bizneseve dhe investitorëve izraelitë për Shqipërinë, veçanërisht në infrastrukturë, agrobiznes, teknologji, inovacion dhe energji, por edhe në shëndetësi.
Lidhjet mes njerëzve janë gjithmonë në zemër të çdo partneriteti të qëndrueshëm. Vitet e fundit, rritja e turizmit është shndërruar në një urë të rëndësishme lidhëse mes vendeve tona, duke krijuar mundësi të reja për angazhim më të madh dhe shkëmbime më të shumta.
Shqipëria mbetet e angazhuar fort për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, si dhe garantimin e sigurisë.
Në këtë kontekst, dënojmë me forcë veprimtaritë destabilizuese të vazhdueshme të Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, si dhe sulmet e tij të fundit në mbarë Lindjen e Mesme, të cilat kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Duke pasur parasysh politikat dhe veprimet e Iranit kundër Shqipërisë, por edhe kundër partnerëve tanë, ne kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Gjithashtu, krahas vendeve dhe partnerëve të tjerë, Shqipëria e ka shpallur Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike organizatë terroriste.
Shkëmbyem mendime të vlefshme edhe lidhur me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Theksova rëndësinë themelore që Shqipëria i kushton stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë drejtim, nënvizova se njohja e Kosovës nga Izraeli dhe marrëdhëniet e ngushta që janë vendosur mes tyre janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Pak popuj në histori kanë përjetuar vuajtje, persekutim dhe tragjedi aq të mëdha sa populli hebre.
Përgjatë shekujve, e deri në tmerret e Holokaustit, ai përjetoi një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit.
Krijimi i Shtetit të Izraelit lindi nga kjo histori e dhimbshme dhe nga aspirata e një populli për të jetuar në siguri dhe dinjitet në atdheun e tij historik.
Megjithatë, historia e Izraelit është shënuar gjithashtu nga luftëra, konflikte, pasiguri dhe humbje të përsëritura, të cilat kanë sjellë dhimbje dhe vuajtje për jetë të panumërta të pafajshme në mbarë rajonin.
Sulmet brutale terroriste të 7 tetorit, masakra e përmasave të tmerrshme ndaj njerëzve të pafajshëm, në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe në makinat e tyre, si dhe ngjarjet shkatërrimtare që pasuan, janë një kujtesë e fortë si e brishtësisë së paqes, ashtu edhe e rëndësisë themelore të sigurisë.
Asnjë komb nuk mund të pritet të pranojë kërcënimin e terrorizmit ndaj qytetarëve të tij, ashtu siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme mes pasigurisë, dhunës dhe frikës së përhershme.
Vuajtjet e jashtëzakonshme që kanë vijuar që atëherë kanë marrë shumë jetë të pafajshme dhe kanë lënë plagë të thella si te izraelitët, ashtu edhe te palestinezët.
Ato kanë përforcuar nevojën urgjente për të garantuar, para së gjithash, sigurinë e Izraelit, por edhe për të bërë çdo përpjekje të mundshme në funksion të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Në këtë këndvështrim, Shqipëria, nën drejtimin e Kryeministrit Rama, u bë anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe vendosi të kontribuojë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, duke dëshmuar angazhimin tonë për të mbështetur stabilitetin, sigurinë dhe përpjekjet humanitare në Gaza. Sfida përpara bashkësisë ndërkombëtare është, pra, të ndihmojë në krijimin e kushteve që si izraelitët, ashtu edhe palestinezët, të mund të jetojnë në siguri, dinjitet dhe shpresë, të çliruar nga ciklet e dhunës që kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje brez pas brezi”, tha ministri Hoxha.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi miqësinë historike mes dy vendeve dhe rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit.
Ai vlerësoi gjithashtu qëndrimet e kryeministrit Edi Rama kundër terrorizmit të Hamasit, duke thënë se deklaratat e tij kanë pasur ndikim te qytetarët izraelitë.
Sa’ar bëri të ditur se numri i vizitorëve izraelitë në Shqipëri është rritur ndjeshëm, nga rreth 7 mijë në vit në rreth 100 mijë, duke theksuar se ndjenja e sigurisë që përjetojnë turistët izraelitë është një nga arsyet e këtij zhvillimi.
“Është kënaqësi të ndodhem në Shqipëri, një mike e vërtetë e Izraelit. Me zgjedhjet që do të mbahen së shpejti në Izrael, nuk ishte momenti i duhur për të udhëtuar, por gjeta kohë për të ardhur në Shqipëri. Miqësia jonë i ka rrënjët në histori. Gjatë holokaustit, shqiptarët i hapën shtëpitë hebrenjve. Kjo ishte besa, kodi juaj i nderit. Shqipëria përfundoi luftën me më shumë hebrenj sesa në fillimin e saj. I vetmi vend në kontinent që e bëri këtë. Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Edi Rama, një nga liderët më të mëdhenj në botën e sotme. Fjalët e tij të fuqishme kundër terrorizmit të Hamasit patën shumë ndikim te izraelitët. Numri i vizitorëve izraelitë në Shqipëri është rritur nga 7 mijë në vit, në 100 mijë në vit. Ka një arsye për këtë, izraelitët ndihen të sigurt në Shqipëri. Duam që ta ruajmë këtë moment më të madh që të ruajmë këtë bashkëpunim në fusha të ndryshme. Vetëm ditë më parë shënuam tre vjet nga 7 tetori. Izraeli vazhdon të luftojë me Hamasin, Hezbollahun dhe kërcënimeve që vijnë nga Irani. Miku im, miqësia jonë është e gdhendur në histori. Sot po ndërtojmë të ardhmen e saj”, u shpreh ministri izraelit.
Top Channel