Grupet e PD ndalin makinën në Korçë/ Policia: Në makinën e zyrtarit nuk u gjet asgjë e dyshimtë

24/04/2021 15:09

Partia Demokratike në Korçë përmes një deklarate bëri publike një incident në fshatin Podgorie duke pretenduar se mbrëmjen e së premtes struktura e saj për mbrojtjes e votë kishte konstatuar 3 mjete me Punonjës të njësive administrative Vreshtas dhe kryetarin e PS të fshatit, njëherazi Punonjës i tatimeve.

Sipas akuzave të ngritura mbështetësit e PD bllokuan rrugën për njërin nga mjetet, ndërsa 2 të tjerët u larguan. Ata lajmëruan policinë pasi sipas tyre brenda makinës kishte lista zgjedhësish dhe patronazhistësh duke e konsideruar këtë një përpjekje për manipulim të zgjedhësve.

Nga ana tjetër, policia njoftoi procedimin penal në gjendje të lirë për 3 mbështetësit e PD, për njoftimin e rremë të forcave të rendit dhe bllokim të qarkullimit të mjeteve të transportit, duke sqaruar se brenda automjetit nuk u gjet asnjë material që mund të komprometojë dhe cenojë procesin e zgjedhjeve.

Akuzave të PD iu përgjigj edhe dega e PS, e cila e konsideroi këtë konflikt të provokuar.

Top Channel