Tragjedi në Mesdhe, mbytet anija me emigrantë, nuk mbijeton asnjë!

23/04/2021 15:47

Tragjeditë e emigrantëve në Mesdhe janë rikthyer me mbytjen e një anije të enjten ne Gjirin e Libisë, ku humbën jetën dhjetëra vetë.

Organizata ndërkombëtare e emigracionit njoftoi se pas orësh të tëra kërkimi, frika e rojeve bregdetare, fatkeqësisht u bë realitet. Ekipi i anijes së tyre është kthyer në dëshmitar të pasojave të tmerrshme të fundosjes së anijes së vogël, e cila thuhet të ketë pasur rreth 130 persona në bord.

Që në momentin e mbërritjes, rojet panë 10 trupa duke pluskuar dhe nuk gjetën asnjë të mbijetuar. Ata morën sinjalizime edhe për dy gomone në vështirësi për shkak të detit të trazuar me dallgë të larta, që vështirësuan përpjekjet e shpëtimit. Në 21 prill, organizata nuk arriti te gjente një varkë prej druri me 40 persona në të, ndërsa disa ditë më parë të paktën 41 persona vdiqën kur një anije migrantësh është përmbytur në gjirin e Tunizisë.

Më shumë se 350 vetë kanë humbur jetën deri tani në këtë pjesë të detit, pa llogaritur ata dhjetëra që vdiqën në anijen e mbytur së fundi”, thanë drejtues të NGO-së, të cilët shprehën keqardhjen e thellë për jetët e humbura e I drejtuan dhe një tjetër apel shteteve për të dërguar më shumë anije shpëtimi në detin Mesdhe.

Top Channel