“Rama e oligarkët, sheikët e Durrësit”/ Basha me socialistët e zhgënjyer: Do ta çlirojmë qytetin nga Dakot e bandat e tij

23/04/2021 01:13

Në të njëjtën kohë kur kryesocialisti Edi Rama mbyllte mitingun ne Tirana, Lulzim Basha e sfidoi në ekranet televizive me socialistë të zhgënjyer nga Durrësi, të cilët në këto zgjedhje kanë vendosur të kalojnë ylberin politik.

“Tek po vija këtu më mori dikush më tha po vjen prapë Durrës? Po i thashë po vij. Po ti dje ishe, ne e mbyllëm. E mbyllëm i thashë unë, po sot më mirëpresin socialistët e Durrësit. E dua t’iu them edhe skeptikëve në familjen time politike, shikojeni këtë sallë, këtu janë vëllezërit dhe motrat tona, ndoshta dhe kushërinjtë tuaj”- tha Basha.

Në Durrës, ku Edi Rama synon jo vetëm votësbesim si kryeministër por edhe mandat si deputet, kryedemokrati Basha e sulmoi për lidhje me bandat dhe oligarkët.

“Edi Rama dhe një grusht pushtetarësh e oligarkësh janë bërë bashkë për të zhvatur pasuritë e vendit. Kanë vënë pasuri, janë bërë si sheikë në një Durrës të lënë në mëshirë të fatit ku pas tërmetit të zotit ra tërmeti i babëzisë, tërmeti i korrupsionit, që dhe familjet qytetare durrsake duan tua grabisin trojet për mafien e ndërtimit. Duke votuar për numrin 9 ju do të bëni të mundur që ne ta çlirojmë nga Dakot e bandat e tij. Bëjeni të mundur çlirimin e Partisë Socialiste nga zinxhirët që e mbajnë peng të bandave, peng të krimit, peng të shitblerjes së votës”- vijoi Basha.

Nga Durrësi Basha ju drejtua Tiranës, ku simpatizantë të Partisë Demokratike e pritën në Kashar para se ai të mbërrinte në studiot e Top Channel ku ishte i ftuar në emisionin Open të Eni Vasilit

Top Channel