Presidenti Meta pret në takim ambasadoren e SHBA dhe ata të BE-së: E diela një ditë feste për të gjithë shqiptarët

23/04/2021 16:23

Presidenti Ilir Meta zhvilloi dje një takim me Ambasadoren e SHBA Yuri Kim dhe sot me Ambasadorin e Delegacionit të BE, Luigi Soreca, së bashku me Ambasadorët e vendeve anëtare të BE në Tiranë.

Presidenti Meta i falënderoi Ambasadorët për angazhimin dhe interesin e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vuri në dukje rritjen e ndjeshme të numrit të rasteve të denoncuara nga qytetarët dhe partitë politike për parregullsitë e konstatuara gjatë kësaj fushate, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Precedentët famëkeq të dosjeve të Shijakut dhe Dibrës kanë zgjuar aktivizmin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos lejuar deformimin e votës së lirë duke iu drejtuar në kohë dhe përmes provave, organeve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit.

Duke patur parasysh rëndësinë thelbësore, që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për të ardhmen europiane të Shqipërisë, Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e dekurajimit, në kohë, të çdo veprimi, që cenon integritetin e procesit, dhe kërkoi praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, veçanërisht në qarqet e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës, të trysnuara edhe në zgjedhjet e kaluara nga krimi i organizuar.

Presidenti Meta veçoi rëndësinë e jashtëzakonshme, që ka sjellja profesionale dhe vetëm sipas ligjit nga ana e Policisë së Shtetit dhe institucioneve gjyqësore. Vetëm reagimi proaktiv, i menjëhershëm dhe i pavarur ndaj çdo akti që cenon paprekshmërinë e votës së lirë, mund të parandalojë përsëritjen dhe përhapjen e krimit zgjedhor.

Kushdo që provokon tension artificial, duke synuar dekurajimin e votimit masiv apo tjetërsimin e votës së qytetarëve, duhet të marrë përgjigjen e menjëhershme dhe të prerë të forcës së ligjit.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se pavarësisht problemeve të deritanishme, e diela do të jetë një ditë feste për të gjithë shqiptarët, pasi në këto zgjedhje ata do të kenë mundësinë e përzgjedhjes jo vetëm të alternativës më bindëse për secilin por edhe të kandidatit që ata besojnë më shumë.

Top Channel