Basha nga Shkodra: Fitorja do të fillojë nga këtu, do të jetë fitorja më e thellë dhe më e bukur

23/04/2021 12:32

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar fushatën përmbyllëse në qytetin e Shkodrës.

Duke bërë thirrje për një bashkim të madh drejt ndryshimit më 25 prill, Basha tha se “ditën e diel do të sjellim fitoren më të madhe dhe më të bukur, sepse do jetë fitorja e të gjithë shqiptarëve”. “Fitorja e ditës së diel do të fillojë nga Shkodra, do të fillojë nga maja më e lartë e Kelmendit e do të zbresë deri në skajin më jugor të vendit. Kjo do të jetë fitorja më e thellë dhe do të jetë fitorja më e bukur sepse do t’i takojë çdo shkodraneje dhe çdo shkodrani. Do ti takoj të gjithë shqiptarëve pa përjashtim. 8 vite makth, 8 vite premtime të pa mbajtura, 8 vite nëpërkëmbje, varfëri, shtypje, korrupsion, banda, do të marrin fund sepse në 25 prill energjia që kam prekur dhe kam ndier sa herë kam qenë në qytetin tuaj të mrekullueshme anë e mban Shkodrës dhe Shqipërisë. Kjo energji do të derdhet masivisht në kutitë e votimit”.

Basha bën thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 25 prillit. “Por siç nuk ndalet uji i Drinit e i Kirit, siç nuk ndalet uji i Bunës mos e ndalni asnjë çast punën derë më derë, zemër më zemër, derisa të mbushet plot ai liqeni i Shkodrës, plot si Adriatiku, me votat e ndryshimit çdo kuti votimi në Shkodër, në Vlorë, në Durrës, në Korçë, në Tiranë e në mbarë Shqipërinë sepse ndryshimi që po vjen është ndryshimi për çdo familje. Ndaj asnjë familje, asnjë prind, asnjë ri dhe e re nuk mund të mungojë. Votoni edhe për fëmijët tuaj, për ata të cilët luftojmë, për ata për të cilët do të zhvillojmë Shkodrën dhe ekonominë e saj, do të hapim vendet e punës, do të rrisim pagat dhe do të kthejmë kulturën, dijen dhe artin në piedestalin e lartë shkodran I cili ngrihet madhërishëm në të gjithë kapitujt e ndritur të historisë tonë kombëtare. Ora po afron që Shkodra të marshojë kryelartë me e fatin që i ka caktuar historia prijëse e demokracisë, prijëse e fitores. Prijëse dhe çelësi i hapjes së derës”.

Top Channel