Balla: Është antikombëtare t’i japësh votën përfaqësueseve të Ilir Metës në Përrenjas

23/04/2021 18:14

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla mori pjesë në takimin për mbylljen e fushatës elektorale në Prrenjas.

Në hyrje të fjalës së tij, Balla tha se është e rëndësishme që në Përrenjas mos t’i jepet asnjë mundësi Ilir Metës dhe Sali Berishës të rimarrin peng Shqipërinë.

“Ilirit pëllumbat i kanë ikur nga kafazi, por pëllumbat e Ilirit në Përrenjas nuk duhet të marrin as edhe një votë. Është antikombëtare t’i japësh votë sot përfaqësueseve të Ilir Metës në Përrenjas. Është po aq antikombëtare që sot të pengosh rrugën e integrimit evropian duke i dhënë votën Lulzim Bashës, PD. Vota për PD çon ujë tek mulliri i Ilir Metës”, tha Balla.

Nisur nga ngjarja e fundit e ndodhur në Elbasan, numri dy i PS u bëri thirrje banorëve për qetësi, durim dhe besim. Ndër të tjera ai u kërkoi mos të bien pre e asnjë provokimi.

Në fund të fjalës së tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS u kërkoi banorëve të votojnë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Top Channel