Rama: Asnjë frikë prej atyre që kanë kapur alltiet e marrëzisë që të ndalin të pandalshmen

22/04/2021 13:10

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar të gjithë mbështetësit e PS-së duke theksuar se s’duhet të ketë asnjë frikë, asnjë ngurrim, asnjë luhatje prej atyre që kanë kapur alltiet e marrëzisë që të ndalin të pandalshmen.

Ai lajmëroi se në orën 6 do të jetë  tek sheshi Skënderbej, ku sipas tij të gjithë do duhet  t’i tregojmë mbarë Shqipërisë forcën e karakterit e të pasionit për vendin.

“Faleminderit patronazhistëve tanë dhe forca, derë më derë, çdo trokitje e juaja për 12-ën e pavarësisë, 12-ën e lindjes së Partisë Socialiste, 12-ën e yjeve të flamurit të Europës, 12-ën e aritmetikës korrekte (4×3=12) është një trokitje në derën e të ardhmes. Asnjë frikë, asnjë ngurrim, asnjë luhatje prej atyre që kanë kapur alltiet e marrëzisë që të ndalin të pandalshmen, ngjitjen e Shqipërisë në majën ku Zoti i deshi shqiptarët kur e bekoi këtë vend të vogël me dy dete, plot lumenj e liqene, maja me dëborë e fusha me diell gjatë krejt vitit. Përpara me të gjithë forcën e dashurisë për gjyshet e gjyshërit, prindërit e fëmijët dhe për këtë vend ku duhet të lemë gjurmën e krenarisë sonë për emrin shqiptar. Shihemi sonte, në orën 6, tek sheshi i Skënderbeut, këtu në Tiranë dhe jo shi, po gurë të bien nga qielli, t’i tregojmë mbarë Shqipërisë forcën e karakterit e të pasionit tonë për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Top Channel