Kryetari i Bashkisë dhe njëkohësisht drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Erjon Veliaj, në një lidhje live për “Breaking” në Top News, vetëm pak minuta para se të nis aktiviteti i madh përmbyllës të fushatës në Tiranë, është shprehur shumë optimist për datën 25 prill.
“Jam shumë optimist për të dielën, besoj se Tirana do që gjërat të ecin përpara, ja kanë parë hairin kur kryetari i bashkisë dhe Kryeministri bashkëpunojnë. Duke filluar me këtë shesh dhe shumë kryevepra të tjera, mezi pres të mbarojmë këtë fushatë dhe të fitojmë të dielën dhe të hënën ti futemi sërish punës që të çojmë Tiranën përpara”, tha Veliaj.
I pyetur në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, Veliaj tha se përsa kohë që pas fasadës të kreut të PD-së dhe Monika Kryemadhit është Presidenti Meta dhe Sali Berisha: “nuk mund të kishte një vërtetësi më të madhe të kësaj thënie me atë që ndodhi, u kthyem në vitet 90”.
“Unë nuk parashikoj dot të keqen, përsa kohë kemi thënë që pas fasadës të Lulit dhe Monikës është Iliri dhe Berisha nuk mund të kishte një vërtetësi më të madhe të kësaj thënie me atë që ndodhi, u kthyem në vitet 90, pamë njerëz që hipin në shtyllat e tensionit. Përsa kohë regjisorët e këtij spektakli janë Iliri dhe Saliu nuk besoj se ka njeri naiv që u zhgënjye kur pa atë që pash. Ishte një ngjarje shumë e trishtë por vota është më e fortë se plumbi dhe barbaria dhe xhipat me xhama të zinj që kemi parë”, u shpreh kryetari i Bashkisë.
Kretari i Bashkisë thotë më tej se në vitin 2021 nuk ja vlen të bësh burg dhe të vrasësh për Ilir Metës dhe as të ushtrosh dhunë për njerëz që iu ka ngelur ora në vitin 97’.
“Nuk mendoj se njerëzit janë plaçkë, beteja është për zemrat dhe mendjet e njerëzve. Do të kemi një cunami nga reagimi i qytetarëve kundër vrasjeve. Edi Rama hapi pas shumë vitesh aeroportin në Kukës. Në vitin 2021 ja vlen akoma të bësh burg dhe të vrasësh për Ilir Metën, të ushtrosh dhunë për njerëz që iu ka ngelur ora në vitin 97’. Do kemi një surprizë në Tiranë. Të votosh PD që ende vret njerëz apo LSI që bllokon vaksinën është tradhti, por jo kombëtare, është tradhti ndaj familjeve dhe fëmijëve të tyre. Të votosh Sali Berishën dhe Metën është të tradhtosh interesin e familjes tëndë. Votoni PS, rrini djathtë me bindje por votoni atë që punon, bashkon dhe çon Shqipërië përpara. Si ky shi do të kemi bereqet nga një cunami votash”, tha Veliaj.
Duke komentuar reagimin e ambasadës së SHBA ndaj ngjarjes më të fundit në Elbasan, Veliaj tha për “Breaking” në Top News, se qytetarët shqiptarë do të votojnë masivisht për Partinë Socialiste, për të nxjerrë njëherë e mirë nga jeta politike këto dy figura që kanë prodhuar vetëm dhunë e përçarje. Kryebashkiaku tha se populli do ndëshkojë me votë dy mallkimet e këtij vendi, që sipas tij janë Sali Berisha dhe Presidenti, Ilir Meta. Ai gjithashtu u shpreh se pas zgjedhjeve ata do të përballen me drejtësinë.
“Është një sekret publik që Meta është një barcaletë në trupin diplomatik, nuk e dinë nëse është një rast klinik apo është një pacient që duhet kuruar. Është diçka që se thonë por e dinë të gjithë. Meta është sot që ndez barut, ndez përçarja. Meta është më shumë se një i pirë që flet përçart. Po bën një garë me Saliun, të dielën mbyllet karriera politike e Saliut dhe Metës.
Pasi populli shqiptar të japë verdiktin dhe të shkëputet njëherë e mirë nga këto mallkime, ju garantoj që edhe nga trupi diplomatik do kemi të reja e ata dy njerëz përveç problemeve që do kenë me drejtësinë në Shqipëri do kenë edhe shumë probleme të tjera.
Basha nuk i merr vetë këto vendime, i bën Saliu dhe Meta bën gjithmonë mbas vaktit. Nuk ka fuqi të marri vendime. Jo shi po gurë të bien ne nuk ndalemi, votat janë më të forta se plumbat”, tha ai.
Kjo është dita e mbylljes së fushatës për Tiranën. Kryeministri Edi Rama do të mbyllë nesër fushatën në Vlorë dhe në Durrës.
Top Channel