22 prilli shënon në gjithë botën Ditën e Tokës, një ngjarje që lidhet me aktivitete dhe mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi më mesazhin e tij për Ditën e Tokës shprehet se shëndeti i Tokës krijon premisat e një shoqërie të shëndetshme. Ruçi shkruan se Toka është shtëpia e përbashkët e njerëzimit dhe mirëqenia njerëzore lidhet pikërisht me mbrojtjen e saj dhe të mjedisit. Ruçi tha se njerëzit duhet të sillemi si bij të Tokës, jo si zotër të saj.

“22 prillin njerëzimi i ka shënuar si Dita e Tokës. 193 kombe e kanë njohur dhe i janë bashkuar nismës globale për  të nderuar Tokën dhe Konceptin e Paqes në planet. Dita e Tokës është dita që na kujton se toka është një burim i pazëvendësueshëm prodhimi e mirëqenieje për njerëzimin. Kjo ditë na kujton se atdheu  janë toka e njerëzit dhe Planeti, shtëpia e përbashkët e njerëzimit, mund të ketë paqe e mirëqenie vetëm nga bashkëjetesa, harmonia dhe miqësia jonë me mjedisin. Shëndeti i tokës dhe planetit është premisa e begatisë së njerëzimit dhe e një shoqërie të shëndetshme dhe një nga mbrojtësit më të sigurt prej pandemive e fatkeqësive natyrore. Kjo ditë na kujton se duhet të vazhdojmë punët e mira që kemi nisur për të prodhuar ligje për të mbrojtur tokën dhe mjedisin dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm. E kam thënë dhe po e përsëris: Ne duhet të sillemi si bij të Tokës, jo si zotër të saj”, shkruan Ruçi.

Top Channel