“Asnjë tolerim kush prek votën”/ Ambasadorja e SHBA takon kreun e SPAK dhe drejtorin e policisë së shtetit

22/04/2021 15:41

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i vendosin një vijë të kuqe të gjithë atyre që mendojnë se mund të luajnë e prekin  procesin zgjedhor të 25 Prillit.

Është  Ambasadorja Yuri Kim ajo e cila përmes një mesazhi në Twitter, e bën të qartë si kristali, se do të ketë tolerancë zero ndaj personave që do të tentojnë të pengojnë,  vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

Shefja e diplomacisë amerikanë në Tiranë ka treguar se në funksion të kësaj tolerance zero ka zhvilluar disa takime.

 “Sapo u takova me Kryeprokurorin Çela, do të takoj së shpejti kreun e SPAK Kraja, u takova me drejtorin e policisë Veliu të Hënën. Mesazhi SHBA: Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirisht dhe në paqe, duhet të ndiqen penalisht në mënyrë të plotë. Asnjë trajtim të posaçëm. Asnjë përjashtim. Askush nuk është mbi ligjin”, tha ajo.

Një ditë më parë disa orë pas vrasjes me prapavijë politike në Elbasan, ambasada amerikane lëshoi një deklaratë të fortë, të ngjashme me ato të vitin 1997,  ku përfshihej edhe presidenti Ilir Meta, i  cili ditët e fundit ka përdorur  një retorikë të ashpër e me gjuhë kërcënuese, në emër të asaj që ai e quan “mbrojtja e votës së shqiptarëve”.

Ndërkohë ambasadorja Amerikane Yuri Kim, kreu delegacionit të BE Luigi Soreca dhe disa ambasadorë të tjerë janë bërë bashkë duke përcjell një video mesazh për zgjedhjet e 25 Prillit. “Vota është e juaja, nuk është një dhuratë, ,mos e shpërdoro dhe mos e shit” thonë ambasadorët në këtë video mesazh.

Top Channel