PS fiton 48.1%, PD 43.6%, LSI 3.6% / Sondazhi i TCH dhe IPSOS – Në Tiranë PS 19 mandate, PD 17 dhe LSI asnjë

21/04/2021 01:21

Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS) publikoi në emisionin Open në Top Channel, sondazhin e fundit dhe projeksionet e opinionit publik mbi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 Prillit dhe në veçanti rezultatet e pritshme për kryeqytetin.

Të dhënat në shkallë Kombëtare nxjerrin fituese Partinë Socialiste me 48.1 % mesatarja, (50.8% maksimalja dhe 45.4 Minimalja), Partinë Demokratike të dytën me mesatare 43.6 % (ndërsa maksimalja 46.3 dhe minimalja 40.9%), kurse LSI e treta me 3.6% mesatarja (maksimalja 4.6% dhe minimalja 2.6%), Nisma Thurrje me 0.9%, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, PSD dhe Lëvizja për Ndryshim e Topallit jane me nga 0.8%.

Studimi për sondazhin kombëtar është kryer gjatë këtij muaji në periudhën 18 deri në 20 Prill me 2 mijë të anketuar mbi 18 vjeç. Pyetjes se cila figurë politike mund të besohet në Shqipëri, të anketuarit i janë përgjigjur: Për Edi Ramën 30%, ose 7% më shumë nga anketimi i shkurtit dhe për Lulzim Bashën 22%, ose 10 % me shumë nga anketimi i shkurtit. Ndërkohë ata që nuk zgjedhin asnjërin janë 20%, ndërsa në shkurt ishin 33%, ata që nuk e dinë dhe refuzojnë të përgjigjen janë 14%, ndërsa në muajin shkurt ishin 17 %.

Ndërkohë për Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur janë përgjigjur 53% e të anketuarve, ndërsa në muajin mars ishin 39%, pra 14 % më shumë. Ata që mendojnë se është drejtimi i gabuar janë 35%, 12% më pak se në muajin mars, kur ishin 47%. Ndërkohë pyetjes se pavarësish se ke do të votoni, kush mendoni se do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, 42% janë përgjigjur Partia Socialiste, ndërsa herën e parë në prill ishin 48%. Për Partinë Demokratike janë përgjigjur 36% e të anketuarve, ndërsa në anketen e parë në prill ishin 32%. Ndërkohë të pavendosurit janë rritur me 5%, ishin 15, tani janë 20%.

Ndërkohë sondazhi për Tiranën është zhvilluar nga datat 15 deri në 19 prill me 1029 të anketuar mbi 18 vjeç. 54 % e tyre mendojnë se Shqipëria është në drejtimin e duhur, krahasuar me 36% që ishin mars, pra 18 përqind më shumë. 35 mendojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e gabuar, ndërsa në mars ishin 51 % dhe me të dhënat e fundit janë 16% me pak. Ndërkohë diferenca e atyre që nuk zgjedhin asnjë përgjigje apo që refuzojnë, është me 1% mes marsit dhe prillit.

Pyetjes se për cilën parti do të votoni, mesatarja 48.9 % përgjigjen Partinë Socialiste (maksimalja 52.8 dhe 45% minimalja), mesatarja 42.6% Partinë Demokratike, (Maksimalja 46.5 dhe 38.7% minimalja), mesatarja 2.3% LSI (dhe maksimalja 3.5 dhe minimalja 1.1%. Kurse PSD është 2.1 %, 1.5% Vetëvendosja, 1% Nisma Thurrja dhe nga 0.5 deri ne 0.1 % pesë partitë e tjera.

Këto rezultate, të përkthyera në mandate japin këto të dhëna për kryeqytetin që nxjerr 36 deputetë; Partia Socialiste 19 mandate, 1 më shumë nga 2017-ta, PD 17 mandate, 6 më shume nga zgjedhjet e para 4 viteve dhe LSI nuk merr asnjë mandat, ndërsa në 2017-ën kishte 5 deputetë.

Sondazhi u publikua mbrëmjen e së martës për të respektuar detyrimin ligjor që sipas Nenit 78, pika 3 e Kodit Zgjedhor sanksionon se: “rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit”.

Top Channel